Presidenti i sapobetuar i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua se “do ta vendosë Amerikën në vend të parë”.
Në fjalimin e parë pas betimit, Trump tha se “epoka e artë e Amerikës fillon pikërisht tani”.
“Prioriteti ynë kryesor do të jetë krijimi i një kombi krenar, të begatë dhe të lirë”.
“Sovraniteti ynë do të rifitohet, siguria jonë do të rikthehet, peshorja e drejtësisë do të ribalancohet”, tha Trump, duke shtuar se “armatosja e egër, e dhunshme dhe e padrejtë” e Departamentit të Drejtësisë në SHBA, do të marrë fund.
Ai e kritikoi administratën e paraardhësit të tij, Joe Biden, për trajtimin e krizës së imigrantëve, duke thënë se ajo u ka siguruar “strehë dhe mbrojtje kriminelëve të rrezikshëm” që “kanë hyrë ilegalisht në vendin tonë”.
Qeveria ka dhënë “fonde të pakufishme për mbrojtjen e kufijve të huaj”, por ka refuzuar t’i mbrojë kufijtë amerikanë, tha Trump.
Presidenti amerikan paralajmëroi emigrantët se do të kthehen në vendet e tyre. Ai u shpreh se nga sot do të firmoste disa urdhra, njëri prej tyre për të vendosur trupa në kufirin me Meksikën, për të mos lejuar më hyrje të paligjshme në vend.
“E kam dëgjuar zërin tuaj në fushatë dhe mezi pres të punoj me ju në vitet e ardhshme. Sot është dita e Martin Luther King dhe sot do e bëjmë ëndrrën e tij realitet. Uniteti kombëtar tani po kthehet në Amerikë. Administrata jonë do të kurorëzohet nga suksesi i jashtëzakonshëm. Ne nuk do e harrojmë Perëndinë tonë. Faleminderit Zot. Sot do të nënshkruaj disa urdhra ekzekutiv. Me këto veprime do të nisim një revolucion. Së pari do të miratoj një emergjencë kombëtare në jug të kufirit tonë. Të gjithë hyrjet e paligjshme do të ndalohen dhe do të rikthejmë miliona emigrantë të paligjshëm që ndodhen në vendin tonë. Do të vendos trupa në kufirin jugor për t’u përballur me pushtimin katastrofik të vendit tonë”, u shpreh Trump.
Ai shtoi se Amerika, së shpejti, do të jetë “më madhështore, më e fortë dhe më e jashtëzakonshme”.
“Rrezet e diellit po shtrihen në të gjithë botën dhe Amerika e ka rastin ta shfrytëzojë këtë mundësi si kurrë më parë”, tha Trump.