LIVE: NATO-ja dislokon forca shtesë në Kosovë – kjo është lëvizja e fundit nga Lista Serbe!

INA
INA

30/05/2023

Ekipi i Radios Evropa e Lirë është sulmuar në Zubin Potok, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

Pas përfundimit të protestës së serbëve në këtë komunë pak pas orës 15:00, REL raporton se vetura me të cilën po udhëtonte ekipi është sulmuar me një mjet shpërthyes nga banorët lokalë.

Pavarësisht se nuk dihet se me çfarë mjeti është sulmuar vetura, gazetarët thanë se shpërthimi ishte i fuqishëm.

Nga ky sulm, që ndodhi teksa vetura ishte në lëvizje, asnjëri nga pjesëtarët e ekipit të REL-it nuk ka pësuar lëndime.

Ekipet e gazetarëve të mediumeve të ndryshme, që kanë raportuar nga veriu i Kosovës lidhur me protestat e banorëve lokalë, kanë qenë cak i disa sulmeve më 30 maj, ka raportuar gjatë ditës Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës./REL

Millosavleviq: Nesër protesta do të jetë edhe më masive

Ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zveçanit Sërgjan Millosavleviq, ka paralajmëruar se nesër protesta do të jetë edhe më masive.

Millosavleviq para gazetarëve iu bëri thirrje serbëve që të jenë të qetë.

“Nuk duhet të lejojmë që fati ynë të varet nga interesa të individëve. Ka kush të mendojë për të gjitha ato, ne shpresojmë që do të jemi si gjithmonë të denjë dhe të tregojmë dhe jemi të drejtë dhe dëshirojmë të jetojmë këtu”, tha ai. Ai theksoi se serbët duhet të jenë të bashkuar.

“Të jemi të qetë, të bashkuar dhe në një këtë mënyrë ta tregojmë pakënaqësinë tonë me vendimet për uzurpimin e territorit tonë dhe e vënë në pikëpyetje mbijetesën tonë”, tha ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zveçanit.

Ish-kryesuesi i Kuvendit të Zveçanit shtoi se ata do të protestojnë deri në lirimin dy të arrestuarve Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të cilët u arrestuan pas përleshjes me KFOR-in.

Sërgjan Millosavleviq, theksoi se do të protestojnë po ashtu edhe deri në largimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Petkoviq: Incidentet e 29 majit do të parandaloheshin nëse KFOR-i do ta përmbushte mandatin paraprakisht

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka përsëritur qëndrimin e Serbisë se, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – duhet të largohen nga ndërtesat komunale, dhe se Policia e Kosovës duhet të largohet nga veriu i Kosovës.

Sipas një deklarate për media, Petkoviq i ka bërë këto deklarata të takim me ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Serbi, Anke Konrad dhe Pierre Cochard.

Petkoviq, ka thënë, po ashtu, se incidentet e 29 majit do të mund të parandaloheshin nëse KFOR-i “do ta përmbushte mandatin e tij të premten, që t’i parandalonte kryetarët e paligjshëm, si dhe anëtarët e forcës speciale”, duke iu referuar njësiteve të Policisë së Kosovës.

“Serbët janë të vendosur për të mbrojtur të drejtën e tyre për të jetuar dhe mbijetuar në Kosovë, dhe Serbia e Beogradi do të vazhdojnë të jenë në mbrojtje të tyre, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e provincës dhe rajonit”, ka thënë mes tjerash Petkoviq./REL

Lista Serbe, thirrje protestuesve në Zveçan: Shpërndahuni rreth orës 16:00

Sërgjan Millosavleviq, nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, u ka bërë thirrje protestuesve në Zveçan, që të shpërndahen rreth orës 16:00, dhe të mblidhen sërish nëser në protestë paqësore.

Millosavleiq, ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, ka thënë se protestat e komunitetit serb do të vazhdojnë, derisa të përmbushen kërkesat e tij, përkatësisht tërheqja e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga komunat në veri, ashtu si edhe kryetarëve shqiptarë.

Lista Serbe ka kërkuar më herët që të lirohen edhe protestuesit e arrestuar një ditë më parë gjatë një përplasjeve me ushtarët e KFOR-it.

Vazhdojnë negociatat mes Listës Serbe dhe KFOR-it në Leposaviq

Anëtari i kryesisë së Listës Serbe, Slavko Simiq dhe ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, kanë biseduar me komandantin e KFOR-it amerikan, të cilit sërish ia kanë përcjellë kërkesat që njësiti special i Policisë së Kosovës të tërhiqet dhe kryetari i sapozgjedhur Lulzim Hetemi të largohet nga ndërtesa e komunës, ku ndodhet që nga dje.

Todiq theksoi se serbët e mbledhur para ndërtesës së komunës nuk duan asnjë incident, por vetëm “duan të sigurohen që të punojnë pa probleme në institucionet e tyre”.

“Jeta në Leposaviq është paralizuar, ata kanë ardhur këtu me përdorimin e forcës. Ata duhet të shkojnë, që ne t’i kthehemi jetës normale,” i tha Todiq komandantit të KFOR-it amerikan, i cili zëvendësoi kontingjentin italian para komunës së Leposaviqit.

Todiq i tha komandantit të KFOR-it se jeta në Leposaviq është e paralizuar, se asgjë nuk funksionon kur është fjala për qytetarët dhe institucionet, shkollat, ndërmarrjet publike dhe institucionet shëndetësore.

Komandanti i KFOR-it tha se dëshirojnë që gjithçka të përfundojë me dialog dhe se shqetësimet dhe kërkesat që serbët ia kanë shprehur kryetarit të komunës do t’i përcjellin dhe se shpresojnë që gjithçka të zgjidhet në rrugë paqësore.

Ai tha se janë të pranishëm edhe për të mos eskaluar situatën siç ndodhi në Zveçan dhe për të ndërmjetësuar që të arrihet një zgjidhje paqësore.

NATO-ja dislokon forca shtesë në Kosovë

Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, dhe lëndimit të 30 pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), në atë pjesë, aleanca veri-atlantike ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.

NATO-ja e ka bërë të ditur këtë vendim, përmes një postimi në Twitter.

Pjesëtarë të KFOR-it janë përleshur të hënën, 29 maj, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarit të ri shqiptar në ndërtesën komunale.

Sipas NATO-s, vendimi për shtim të numrit të forcave është marrë, ashtu që KFOR-I të mund të garantojë sigurinë, në përputhje me mandatin që ka.

Admirali Stuart B. Munsch, komandant i NATO-s për forcat në Napoli, i ka përgëzuar ushtarët e KFOR-it për reagimin e shpejtë dhe të përmbajtur, për të parandaluar trazirat dhe për të shpëtuar jetë.

“Dhuna duhet të ndalet, dhe të gjitha palët duhet të shmangin veprime që minojnë paqen në Kosovë”, ka thënë Munsch.

Mbi dhjetë media sulmohen në Leposaviq

Situata në veriun e Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Gazetarët, të cilët po raportojnë zhvillimet e fundit në komunën e Leposaviçit, janë sulmuar me sende të forta nga persona të maskuar.

Veturat e mediumeve shqiptare të A2 CNN dhe Panorama, të cilët po raportojnë nga veriu i vendit, janë vandalizuar.

Të dyja ekipet kanë qenë brenda veturave të mediumeve të tyre. Sulmi është bërë me tulla dhe gurë, ndërsa fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Gazetarët kanë pohuar se megjithëse trupat e KFOR-it kanë qenë në vendin e ngjarjes, përpos që nuk kanë reaguar, ata edhe janë larguar direkt nga aty pa ndërmarrë ndonjë masë e cila do t’iu siguronte mbrojtje ekipeve, tashmë të sulmuara.

“Ne ishim brenda në makinë, kur na sulmuan me gurë. Pas nesh ishte edhe një tjetër automjet i një televizioni shqiptar. Makinat i kemi parkuar shumë larg komunës së Leposaviqit, megjithatë edhe këtu na kanë sulmuar. Në çdo komunë ka pasur të tilla incidente të këtij lloji, ku viktimë kanë rënë media të tjera shqiptare. Forcat e KFOR-it qëndronin pranë nesh dhe sapo panë këta persona të maskuar, u larguan. Këtu nuk ka as prezencë policie. Ishin 4-5 të rinj me maska, me shall që na sulmuan, ndërsa ne ishim të gjithë në makinë brenda”, u shpreh gazetari i A2 CNN, Jul Kasapi.

Situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar, ndërsa ekipet e gazetarëve vazhdojnë të jenë cak i protestuesve gjithandej. Edhe një herë, AGK i bën thirrje trupave paqeruajtëse të sigurojnë ambient të sigurt për raportim, ndërsa gazetarët i ftojmë që të tregojnë kujdes të shtuar sepse atyre nuk po iu garantohet siguri në asnjë moment.

Për AGK-në, ky numër i sulmeve është alarmues, ndërsa fton vendimmarrësit që të krijojnë protokolle të cilat garantojnë raportim të sigurt për gazetarët, sa më parë.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve, në Komunën e Leposaviqit aktualisht gazetarët e mbi 10 medieve janë sulmuar nga persona të maskuar.

“Kolegët nga Tëvë1 kanë njoftuar AGK-në, se disa persona ua kanë thyer kamerën atyre me arsyetimin që të mos i xhirojnë, pasi janë me maska. Këto sjellje nga protestuesit maskuar janë totalisht të papranueshme, dhe u bëjmë thirrje organeve kompetente të sigurisë që janë prezent në këtë komunë, t’i sigurojnë gazetarët në mënyrë që të njëjtit të raportojnë pa u sulmuar e penguar. Njëherësh, ju bëjmë thirrje të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit. Ekipit të televizionit Kanal 10 iu është dëmtuar vetura gjatë raportimeve në veri të vendit. Këto sulme në drejtim të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë po intensifikohen, ndërsa ata vazhdojnë të raportojnë në kushte shumë të rënda. Për AGK-në, është e papranueshme gjendja e gazetarëve, të cilët janë targeti i vazhdueshëm i protestuesve serbë. Teksa kjo rëndohet edhe më shumë, kur atyre nuk po u ofrohet mbrojtje e drejtpërdrejtë nga KFOR, dhe prezenca tjetër ndërkombëtare në atë pjesë të vendit. AGK-ja, u bën thirrje pronarëve të mediave, kryeredaktorëve dhe organeve udhëheqëse që të kenë prioritet mirëqenien e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve. Ndërsa, kolegëve gazetarë iu bëjmë thirrje që t’iu përmbahen intruksioneve të Policisë së Kosovës. Mëngjesin e sotëm, vetura e ATV-së ka qenë cak i sulmit nga protestuesit serbë. Në fotografitë dërguar AGK-së, shihet se i janë shpërthyer gomat veturës me qëllim të pengimit të raportimit. Kjo situatë me të cilën po përballën gazetarët është tejet shqetësuese, dhe po rëndohet çdo herë e më shumë, pasi ata po vazhdojnë të jenë target i protestuesve serbë”, thuhet në komunikatë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bën thirrje të gjithë kolegëve gazetarë, kameramanë, fotoreporterë dhe shoferët e ekipeve të tyre, që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe në rast nevoje t’i drejtohen për ndihmë zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë prezent atje./BS

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

kandidatet president maqedoni zgjedhjet

Anketa e CRPC: Davkova para Pendarovskit, Taravari dhe Osmani në një garë të ngushtë! (TABELA)

taravari kurti

Arben Taravari dhe Kryeministri Albin Kurti vizitojnë Zvicrën

stevo pendarovski

Pendarovski premton Veting për politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët

KSHZ-Komisioni

17 parti në garë zgjedhore për deputetë

arben taravari

Taravari: Përmes grandeve për teknologji dhe inovacion do të mbështesim të rinjtë

Policia-e-Kosoves-800x445

Lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Jankoviq i arrestuar nga Serbia

sulmet iriani izrael mbrojtja raketore raketa

CNN: Izraeli e sulmon Iranin

bujar osmani

Osmani: Ta ”pushtojmë” kalanë e fundit të monopolit etnik!

taravari vlen lideret

VLEN shpalos programin për zgjedhje: Zhdukje e bixhozit, decentralizim fiskal, aksionet në dorë të qytetarëve

INFO

NA NDIQ