Llalla “non grata”, SHBA: Gati për hetimin e çdo zyrtari të korruptuar!

Ka reaguar i ngarkuari me punë në ambasadën e SHBA në Tiranë, David Muniz, pas shpalljes së ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla person ‘non grata’ në SHBA.

Muniz është pyetur për faktin nëse autoritetet amerikane do të ishin të gatshme për bashkëpunonin për identifikimin e zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri. Ai u shpreh se qeveria e SHBA është gati të bashkëpunojë për të luftuar korrupsionin dhe zyrtarët të cilët janë pjesë e aferave korruptive.

“Qeveria e SHBA është gati të bashkëpunojë me çdo hetim të zyrtareve të lartë të korruptuar”- tha David Muniz për News24.

Kjo tregon vendosmërinë e Uashingtonit për të luftuar korrupsionin, e mbi të gjitha rastet ku janë të përfshirë “peshqit e mëdhenj”.

Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli pak ditë me parë si person të padëshiruar Adriatik Llallën dhe familjarët e tij, duke i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.