Lozha e masonëve në Shqipëri, ja kush janë?!

0

Nga Eroll Veliu/

Më 30 Prill 2004 gazeta “Albania” na bëri shumë kureshtarë me shkrimin “Njëzet deputetë, sekt fetar në Tiranë”, ku përshkruhej një ritual i çuditshëm fetar që vazhduaka prej dy vitesh çdo ditë të Enjte në “Vila Goldi” në Tiranë. Pra është mbajtur kaq gjat…ë sekret një gjë për gazetat tona të “sensacionit pa kufi” dhe gazetarët tanë të shumtë “gjuetarë skandalesh” e “urithë sekretesh”.
Në këtë ritual me rregulla të forta asketizmi pjesëmarrësit pikan vetëm ujë e kafe, (jo alkol që të sjell në qejf), nuk bëkan as biseda për politikë e për femra (që për mjedisin e mendësitë shqiptare të shtyjnë të vesh dorën në kobure). Nuk dihet për çfarë bisedohet në ato tubime që pjesëmarrësit i paraqesin si imitime të përjavëshme të praktikës amerikane të “Mëngjesit të lutjeve” që në Amerikë organizohet një herë në vit. As sekretzhbiruesja nga “Albania” nuk ka arritur të hyjë në thelbin e sekretit të “Vilës Goldi”. Ajo vetëm ka theksuar se pjesëmarrësit e këtij “Sekti” që i falen një Perëndie të vetme, por që nuk dihet sipas cilës fe, sepse pjesëmarrësit janë të feve të ndryshme që praktikohen në Shqipëri, janë të gatshëm të tregojnë për çfarë nuk flitet dhe jo për çfarë flitet në seancat e tyre të kafe-ujë-pirjes, të meditimit dhe të bëlbëzimit paqsor me njëri tjetrin, ndonëse në politikë janë edhe armiq të papajtueshëm midis tyre.

Në fillin lajmi na u duk si një shaka e përgatitur ndoshta për t’u botuar 3 javë më parë, më 1 Prill. Por kur pamë emrat e fotot e pjesëmarrësve, personalitete të rëndësishme dhe me role të spikatura në politikën shqiptare, në parlamentin shqiptar ku përfaqësojnë forca të ndryshme politike, filluam të dyshojmë mos kishte diçka të vërtetë.

Nuk është mirë të bëhet shaka duke përmendur si pjestarë punësh të fshehta emrat e Namik Dokles, Ritvan Bodes, Besnik Mustafajt, Pjetër Arbnorit, Robert Çekut, Arben Malajt, Neritan Alibalit. Pandeli Majkos, Fatmir Mediut, Leonard Demit ( shumë enigmatik se nuk është deputet si të tjerët) Ilir Zelës, Marko Bellos, Fatos Bejos. Megjitathë urtia më e zakonshme mëson se në të tilla punë duhet pritur të dalin më shumë elementë para se të krijosh bindjen tënde se çfarë po ndodh. Mirëpo sensacioni i “Albania-s” humbi si “sh… a e pulës”.

Në asnjë gazetë tjetër nuk kemi gjetur ndonjë lajm plotësues apo koment. E pra gazetat nuk të falin kur ka raste për të bërë gallatë. Pra dikush është kujdesur të japë orientimin se gallatë nuk duhet bërë, aq sa duhej u shpalll. Asnjë televizion nuk na bëri ndonjë emision. As “Fiks Fare” nuk e fiskoi fare vemendjen mbi “sektin fetar të fshehtë” në “Vilën Goldi”. As ato programet tjera që mezi presin tema për zhurmë për sherr nuk u interesuan. Ky qëndrin në vend që të na bindë se ishte një gjepur ajo që shkroi “Albania” të bën të dyshosh më shumë se ka diçka në këtë mes, sepse atje ku del tym do të ketë patjetër edhe zjarr.

Po çfarë të jetë vallë kjo “shoqëria sekrete” që u mbledhka në “Vilën Goldi”? Sekt fetar i panjohur apo “Llozhë masonike” që nuk do të bëhet më shumë e njohur se aq sa ka zbuluar për gazetën “Albania”? Duke mbajtur parasysh anëtarët e bërë të ditur më e besueshme është se kemi të bëjmë me njëfarë “lozhe masonike”, ndoshta eksperimentale, sepse me politikë merren të tilla lozha. Në Shqipëri tashmë janë huazuar të gjitha format e jetës së vendeve të përparuara, lojrat e fatit, klubet e natës, shtëpitë publike sekrete, prostitucioni i rrugës, firmat piramidale, organizmat mafioze, sektet fetare, vrasësit me pagesë, OJQ-të, klubet misterioze, intstitucionet e shërimit nëpërmjet magjisë, falltoret etj. etj. Pse të mos ketë edhe “llozha masonike”?! Pastaj masonëria është një veprimtari sekrete shumëshekullore dhe ka njëfarë tradite në çdo vend.