LSDM-BDI kanë konkretizuar detajet e marrëveshjes, e hapur çështja e kryeministrit shqiptar

0

Televizioni 21 nga burime të kyçura direkt në negociata mëson se LSDM dhe BDI tashmë në parim kanë arritur marrëveshje. Dallime ka, por të njëjtat burime pohojnë se deri në fund të bisedimeve qëndrimet do të harmonizohen, përcjell INA.

Dje Televizioni “Kanal 5” raportoi se “është dakorduar kryeministri me principin 3 vjet Zaevi, një vit Zyberi”, por ky lajm u demantua me shpejtësi nga socialdemokratët.
Megjithatë, demanti i tyre nuk e hodhi poshtë tërësisht çështjen e kryeministrit shqiptar, por vetëm principin se si Zyberi do të bëhej kryeministër.
Nuk është e vërtetë se në bisedimet mes LSDM-së dhe BDI-së është dakorduar kryeministri sipas principit që është publikuar, kjo është e pavërtetë” thuhej në demantin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë.
Kjo nënkupton se LSDM demanton çështjen e modelit, por jo edhe idenë për kryeministër shqiptar.

TV21 nga burimet e tij mëson se në të vërtetë ende nuk ka marrëveshje finale për kryeministrin shqiptar. “LSDM nuk lëshon pe, ndërsa BDI insiston”, tregon burimi. Por nga ana tjetër mendohet edhe se si do të promovohej në opinion puna e Kryeministrit shqiptar nëse eventualisht palët arrijnë një marrëveshje, thotë burimi për TV21.

I njëjti burim po ashtu tregon se këto ditë ka pasur një përpjekje nga një biznesmen shqiptar, i cili ka ardhur në Shkup për të përafruar qëndrimet mes Zaevit e Ahmetit, megjithatë mësohet se njëri prej kryetarëve nuk ka shkuar në atë takim, duke dërguar vetëm nënkryetarin e partisë.

Në rrugë zyrtare e gjitha që LSDM e BDI pohojnë është se konsultimet po vazhdojnë, ndërsa edhe komunikatat i dërgojnë të njëjta, duke shkruar se “pas vendosjes së parimeve dhe mënyrës së funksionimit të koalicionit, ekipet negociuese janë duke punuar në harmonizimin e programeve zgjedhore të të dyja palëve në një program pune të propozuar të Qeverisë eventuale të ardhshme”.

“Gjithashtu, sot fillon procesi i rishikimit të ndarjes së përgjegjësive në koalicionin e ardhshëm, si dhe propozimet për drejtues të përshtatshëm, të përgatitur, të ndershëm dhe të aftë, të cilët do të jenë në gjendje të zbatojnë plotësisht programin në një afat katër vjeçar. Ne menjëherë do të njoftojmë opinionin për çdo lajm shtesë ose përparim në lidhje me negociatat” thuhet në komunikatën e LSDM-së dhe BDI-së.

Në fund shtojnë se i vetmi informacion i saktë në lidhje me bisedimet është ai që del nga zyrtarë të palëve të përfshira në negociata./TV21