LSDM dhe BDI më në fund arrijnë marrëveshje në Kumanovë, ja çka u morën vesh

0

LSDM dhe BDI pas disa muajve zvarritje dhe mospajtimesh arritën marrëveshje koalicionimi në komunën e Kumanovës.

Marrëveshja u firmos mes kryetarit të degës së LSDM-së, Martin Kostovski dhe këshilltarit të BDI-së, Fatmir Idrizi, ndërsa pjesë e saj ishte edhe kreu i komunës Maksim Dimitrievski i cili ka firmosur marrëveshjen që duhe të implementohet, informon INA.

“Do të punojmë për përparimin dhe realizimin e përcaktimeve dhe qëllimeve programore që i kemi premtuar gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale përmes ushtrimit të pushtetit me kuadro cilësore që qytetarët të jenë të kënaqur”, theksoi Martin Kostovski.

Fatmir Idrizi nga BDI theksoi do të punojnë për realizimin e premtimeve me qëllim të jetës më të mirë për qytetarët.

“Para se gjithash do të kemi parasysh kërkesat e përgjithshme të qytetarëve dhe më pas kërkesat politike. BDI dhe LSDM do të vazhdojnë trendin e bashkëqeverisjes në këtë komunë për zhvillimin dhe modernizimin e saj”, theksoi Idrizi.

Kryetari i komunës i pyetur se si do të bëhet shpërndarja e drejtorive, tha se momentalisht drejtorët e ndërmarrjeve publike kanë marrëveshje menaxheriale. Ai nuk dha detaje se si do të ndahen këto drejtori dhe postet e tjera të zbrazëta.

Sipas Dimitrievskit, zgjidhet kadrovike janë në plan të dytë, ndërsa në plan të parë janë premtimet që i kemi dhënë qytetarëve për përmirësimin e jetës së tyre.

“Po ashtu dua të them se LSDM është e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë e tjera politike që marrin pjesë në këshillin komunal”, theksoi Dimitrievski. Në zgjedhjet lokale, nga 33 mandate këshilltarësh, LSDM fitoi 16, BDI 3 këshilltarë, pjesa tjetër  VMRO-DPMNE si dhe 2 këshilltarë të Lëvizjes BESA e 1 këshilltar i Aleancës për Shqiptarët.(INA)