Një ditë pasi ministrja e Arsimit Vesna Janevska tha se arsimtarët do të marrin paga më të larta në mars të vitit të ardhshëm dhe jo në shtator, LSDM thirri me kritika duke thënë se qeveria duhet t’i rrisë pagat tani për 12 për qind.
Sipas Daniela Nikollovës, deputete e LSDM-së, edhe pse VMRO-DPMNE më herët premtonte paga më të larta, tani nga pozita e pushtetit ajo i shmanget rritjes së pagave në arsim.
“VMRO-DPMNE i ka tradhtuar mësuesit! Ata nuk do të kenë rritje rroge 12% në muajin shtator. Ministrja Vesna Janevska ka deklaruar disa herë se Qeveria nuk mund të sigurojë para për rritjen e pagave të mësimdhënësve. Me arsye të pajustifikuara dhe irracionale, qeveria i shmanget realizimit të këtij detyrimi ndaj pedagogëve. DPMNE-ja në vitet e kaluara premtoi paga më të larta, inkurajoi grevat, edhe pse pagat e arsimtarëve rriteshin çdo vit”, tha Nikolova.