Përgatitje të përforcuara të partive për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë. Pas mbledhjes së djeshme të Bordit Ekzekutiv, LSDM publikoi emrat e 19 kandidatëve për kryetarë komunash. Siç njoftoi kreu i partisë, Venko Filipçe, një pjesë e tyre janë kryetarë aktualë të komunave si në Qendër, Krushevë, Çuçer Sandevë, Berovë, Rosoman dhe Kriva Pallankë. Nga kjo parti theksuan se nuk do të dalin me kandidatë në komunat që konsiderohen si bastione të BDI-së, por do të garojnë vetëm me lista këshilltarësh.
“Është marrë vendim që, për të optimizuar resurset dhe bazuar, siç thash, në përvojat e mëparshme, të përqendrohemi plotësisht në listat e këshilltarëve dhe sigurisht që kjo është bërë në koordinim me organizatat komunale”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Kandidatë për kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh po përgatit edhe Lëvizja ZNAM. Edhe pse nuk kanë publikuar asnjë emër deri tani, është e sigurt se kryetari i partisë, Maksim Dimitrievski, do të kandidojë sërish në Kumanovë, ndërsa kanë paralajmëruar se do të kenë kandidat edhe në komunën Qendër. ZNAM tashmë një periudhë është në bisedime me partnerin qeveritar VMRO-DPMNE në lidhje me atë se ku dhe në cilin rreth do të kenë mbështetje të ndërsjellë.
“Po zhvillohen bisedime me partnerin tonë qeveritar dhe presim që ato të përfundojnë deri në fund të këtij muaji. Po bisedojmë për disa komuna – përfshirë, definitive është për Kumanovën, disa komuna në Shkup dhe komuna më të vogla në gjithë vendin. Në komunat ku ZNAM do të ketë kandidat, ai do të jetë në marrëveshje me partnerin qeveritar VMRO-DPMNE, do të mbështetet nga ata dhe ata nuk do të ketë kandidat atje”, shtoi Nikolla Memov, Zëdhënës i ZNAM.
VMRO-DPMNE ka publikuar një pjesë të kandidatëve të vet, por emri për garën për Qytetin e Shkupit pritet të dihet në mes të korrikut. Ende nuk është arritur marrëveshje nëse në garë do të hyjë kryetari aktual i Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, apo ministri i vetëqeverisjes lokale, Zlatko Perinski.