LSDM: Pas bojkotit dhe sabotimit të regjistrimit është Gruevski

Partia në pushtet LSDM ka theksuar se pas bojkotit dhe sabotimit të regjistrimit të popullsisë në vend po qëndron ish-kryeministri dhe ish-lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, ndërsa lideri aktual i kësaj partie, Hristijan Mickoski është vetëm kryerësi.

“Qëndrimet e kriminelit të arratisur Nikolla Gruevski vërtetojnë se pikërisht ai qëndron pas bojkotit dhe sabotimit të regjistrimit të popullsisë, ndërsa Hristijan Mickoski është vetëm shërbyesi i tij”, thonë nga LSDM.

Më tej në reagimin e kësaj partie theksohet se “edhe njëherë u tregua se VMRO-DPMNE udhëhiqet nga Budapesti dhe se Mickoski është vetëm një mbrojtës i kolltukut në pallatin e bardhë. LSDM nënvizon se dyshja Gruevski – Mickovski akoma po punojnë kundër interesave të vendit dhe të qytetarëve. (INA)