LSDM thotë se kanë siguruar shumicën parlamentare, Zaev pret mandatin nga presidenti

0

LSDM ka bërë të ditur se ka siguruar shumicën për formimin e Qeverisë së re. Ky paralajmërim bëhet derisa disa portale sot kanë shkruar se VMRO-DPMNE dhe BDI janë në prag të arritjes së marrëveshjes për formimin e Qeverisë me kryeministër shqiptar, përcjell Fokus.

“Kemi siguruar shumicën për formimin e Qeverisë së re. Është e qartë se tekstet e publikuara janë pozicionime të qarta politike përmes keqpërdorimit të mediave, me qëllim të arritjes së pozicionimeve më të forta para opinionit publik, por edhe në negociatat…”, theksojnë nga LSDM.
Nga kjo parti shtuan se presin që ditëve të ardhshme presidenti Stevo Pendarovski ti jap mandatin Zoran Zaevit për formimin e shumicës parlamentare.

Nga LSDM dje kanë theksuar po zhvillohen bisedime për koalicionin e ardhshëm, por ato nuk kanë hyrë në fazën kur mund të bisedohet për marrëveshje konkrete. “Vijojnë konsultimet në format të ndryshëm”, thonë nga LSDM, duke mos shpalosur detaje nga takimet, përcjell INA.

LSDM po synon të formojë koalicionin qeverisë pasi që siguroi 46 mandate deputetësh në zgjedhjet e 15 korrikut. Kalkulimet për formimin e koalicionit janë LSDM 46 , BDI 15 dhe 1 deputet i PDSH që do të siguronin 62 deputetë. Por edhe koalicioni i mundshëm me 12 deputetët e ASH- AA që do të përbënin një maxhorancë stabile prej 74 deputetëve, por pa opozitë shqiptare. Nga ana tjetër, një formulë tek koluaret e LSDM është një koalicionim me ASH- AAA dhe deputetë nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së, që do ta mbështesnin Qeverinë Zaev 2. (INA)