LSDM: VMRO-DPMNE dhe e majta pro-ruse duan të destabilizojnë vendin

LSDM ka reaguar mbrëmë pas demonstratave të dhunshme para Kuvendit, duke i dënuar ato dhe që siç thuhet janë të organizuara nga VMRO-DPMNE dhe instalacioni prorus “Levica” (E Majta).

“Sërish ishim dëshmitarë se si banditët me kapuçë sulmuan policët, hodhën lëndë djegëse, gjuajtën me gurë pjesëtarët e policisë maqedonase dhe tentuan të hyjnë me forcë në Kuvend. Ne pamë skena të ngjashme me 27 prillin e zi dhe e dimë se çfarë do të thotë. Informatat fillestare janë se janë lënduar disa pjesëtarë të policisë”, thonë nga partia në pushtet LSDM, përcjell INA.

“VMRO-DPMNE dhe e majta pro-ruse duan të destabilizojnë vendin, ta dëmtojnë atë dhe në këtë mënyrë të punojnë për qendrat e pushtetit që nuk mendojnë mirë për vendin tonë dhe popullin tonë dhe nuk duan që vendi të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Të mos tentojnë të përsërisin ndërhyrjen e 27 prillit. Këtë nuk do ta lejojmë”, thuhet në njoftimin e partisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski.(INA)