Në Shqipëri po votohet për zgjedhjet e 11-ta parlamentare. Ndiqni këtu më poshtë minutë pas minute zhvillime
ZHVILLIMET MINUTË PAS MINUTE
Mbi 40% dalja deri në orën 18:00 në zgjedhjet në Shqipëri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat për pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 18.
Që prej momentit kur u hapën qendrat në të gjithë vendin, raportohet se pjesëmarrja ka qenë 40.91% nga 2423 qendra votimi që kanë çuar informacionin në KQZ.
Krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, ka një rritje me rreth 4.6% më shumë, ndërkohë që në zgjedhjet e përgjithshme të para katër viteve, pjesëmarrja deri në orën 18 ka qenë 45.48%.
14:17 – Zgjedhjet 2025/ Voton kreu i KQZ Ilirjan Celibashi: Kush shkel ligjin do të mbahet përgjegjës!
Sapo ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar edhe kreu i komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.
Në një prononimcim për mediat ai u shpreh se kushdo që shkel ligjin do të mbahet përgjegjës nga institucionet përkatëse, ndërsa theksoi se edhe qytetarët duhet të kuptojnë që kanë përgjegjësi në lidhje me procesin zgjedhor.
“Mesazhi është i qartë për ata që ende nuk kanë votuar. Ata që janë në idenë që angazhimi i tyre mund të kontribuojë tej votës në proces, do të marrin përgjigje nga institucione përkatëse. Shumë e rëndësishme që jo vetëm politikanë por edhe qytetarët të kuptojnë që kanë përgjegjësi në lidhje me procesin zgjedhor”, tha ai.
14:00 – Zgjedhjet e 11 Majit/ Pjesëmarrja në votime deri në orën 14:00 kalon 29%
Sipas përditësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 14:00 pjesëmarrja në rang vendi është raportuar në 29.5%. Të dhënat janë mbledhur nga 1389 qendra votimi, nga gjithsej 5225 në të gjithë vendin. Në këto qendra, nga 930,271 zgjedhës në listat përkatëse, kanë votuar 119,697 persona.
12:49 – Zgjedhjet e 11 majit, ambasadori i BE, Silvio Gonzato viziton një qendër votimi në Durrës
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka mbërritur në Durrës për të ndjekur procesin zgjedhor të ditës së sotme.
Ai ka vizituar Qendrën e Votimit 14/94 në qytetin bregdetar.
Më herët edhe misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR i kryesuar nga ambasadori Lamberto Zannier ka zhvilluar një vizitë në një qendër votimi në Shqipëri.
12:00 – Pjesëmarrja në votime deri në orën 12:00 arrin rreth 22%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përditësoi të dhënat deri në orën 12:00. Pjesëmarrja në rang vendi është raportuar në 21.95%. Të dhënat janë mbledhur nga 1389 qendra votimi, nga gjithsej 5225 në të gjithë vendin./
Shqiperia sot voton
Qytetarët e Shqipërisë sot i janë drejtuar kutive të votimit, për të zgjedhur qeverinë që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme.
Sot më 11 maj, mbi 3.7 milionë shqiptarë të regjistruar me të drejtë vote do tu drejtohen rreth 5 mijë qendrave të votimit, për të vendosur për Kuvendin e ri dhe qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë.
E në këto zgjedhje për herë të parë voton edhe diaspora me rreth 245 mijë emigrantë të regjistruar.
Në garë janë 11 subjekte apo koalicione politike që garojnë me 2 mijë e 46 kandidatë për 140 vende në Kuvendin e Shqipërisë, raporton RTKlive.
Beteja më e fortë në këto zgjedhje është mes dy forcave më të mëdha politike, Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama dhe Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha.
Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, KQZ, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë ngritur një Task-Forcë të përbashkët për të garantuar një proces të qetë zgjedhor.
Gjithashtu, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash dhe ka trajnuar pjesëtarë të policisë e specialistë për hetimin e krimeve zgjedhore dhe ruajtjen e objekteve zgjedhore.
Për këto zgjedhje është miratuar një sistem i ri zgjedhor, që përfshin një kombinim të listave të mbyllura dhe të hapura.
Në Shqipëri janë 12 zona zgjedhore dhe numri i mandateve të deputetëve për çdo zonë varion nga 3 mandate për Qarkun e Kukësit dhe deri në numrin më të madh të mandateve, në 37 për Qarkun e Tiranës.
Në rang vendi, çdo subjekt zgjedhor ka kandiduar 46 emra në listën e mbyllur dhe 140 të tjerë për listën e hapur. Ata janë të shpërndarë sipas qarqeve në varësi të mandateve.