LSI drejt shkrirjes, shkon në 5 numri i deputetëve që pritet të bashkohen me PS

Lëvizja Socialiste për Integrim po shkon drejt shkrirjes. Dita-ditës, Partia Socialiste po i “rrëmben” këshilltarët bashkiakë në disa qytete, ndërsa kohët e fundit largimet pritet të zbresin edhe në rang deputetësh. Që pas largimit të Ilir Metës nga posti i kryetarit, kjo parti ka nisur të rrudhet, ndërsa humbja e pushtetit dhe kalimi në opozitë ka bërë që shumë militantë të LSI t’i hedhin sytë drejt partive të tjera. Sipas informacioneve të gazetës, përveç këshilltarëve bashkiakë, LSI po humb edhe deputetët e saj. Pak ditë më parë gazeta “SOT” deklaroi se brenda partisë së Kryemadhit kishin nisur përplasjet me kryetaren e partisë dhe për këtë arsye dy deputetë po planifikonin t’i bashkëngjiteshin Partisë Socialiste. Por gazeta ka mësuar se përveç këtyre dy deputetëve, janë edhe 3 emra të tjerë të cilët janë distancuar nga Monika Kryemadhi dhe po mendojnë të ndjekin të njëjtën rrugë si kolegët e tyre. Pra, pritet që në ditët në vijim nga “gjiri” i LSI të largohen plot 5 deputetë, duke zgjeruar kështu furtunën e largimeve nga kjo parti. Në rast se një gjë e tillë ndodh, atëherë Partia Socialiste do të forconte pozitat e saj në Parlament, duke rritur numrin e deputetëve. Momentalisht partia qeveritare ka 74 deputetë dhe bashkë me pesë nga LSI do të shkojë në 79. Ndërkohë, kujtojmë që fuqizimi i PS vijon edhe më tej sepse janë edhe 3 deputetë të PDIU që janë rreshtuar krah Edi Ramës, duke e çuar kështu në 81 numrin total të deputetëve. Nga ana tjetër, vlen të theksohet fakti se partia e Ilir Metës po shkon drejt shpërbërjes. Për sa kohë ajo ishte në pushtet, shumë njerëz iu bashkuan sepse e shihnin si mundësi punësimi. Por kryeministri Edi Rama kryefjalë të fushatës së tij për zgjedhjet e 25 qershorit 2017 kishte reformën në administratën publike dhe spastrimet e militantëve të LSI. Pas kësaj, kanë ndodhur me qindra largime në radhët e LSI, teksa tani duket se kanë arritur deri në nivel deputetësh. Një burim i tha gazetës se momentalisht i vetmi deputet besnik i Monika Kryemadhit është Petrit Vasili. Largimet nga LSI Sinjalet e para që LSI do të përballej me një situatë kritike në ditët në vijim u dhanë që në zgjedhjet e 25 qershorit. Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, ishin të shumtë ata që dogjën teserën e LSI dhe u regjistruan në PS, me shpresën se do të ruanin vendet e punës. Por ky numër u rrit edhe më shumë pas fitores që PS korri në zgjedhje. Menjëherë kryeministri nisi një fushatë kontrolli në të gjithë administratën për të nxjerr të gjithë militantët e LSI. Për këtë arsye shumë persona u rreshtuan krah PS dhe braktisën përfundimisht LSI. Risjellim në vëmendje se edhe gjatë mbledhjeve të grupit parlamentar të PS, kryeministri e ka ndalur veçanërisht theksin tek reforma e administratës dhe afrimi imilitantëve të LSI pranë PS. Nga ana tjetër, largimet kanë prekur edhe bashkitë, pasi me dhjetëra këshilltarë bashkiakë u afruan me grupin e PS. Largime të tilla ka pasur dhe në shumë qytete të tjera. Tirana është në krye pasi Erion Veliaj i mori LSI një numër të madh këshilltarësh për të siguruar kuorumin e nevojshëm. E njëjta gjë ka ndodhur në Durrës, në Korçë apo dhe në Lushnje. Në raste të tjera edhe pse nuk kanë ikur zyrtarisht këshilltarët, ata kanë dhënë votën për PS në rastet e nevojshme. Por pakënaqësi ndaj partisë presidenciale ka si duket edhe në radhët e deputetëve./ Mimoza IBRA/Sot News