LSI rrezikon shkrirjen, PD-PS kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor

0

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë në unison sa i takon reformës zgjedhore. Edhe pse të dyja forcat politike kanë filluar nga puna për ndryshimin e reformës zgjedhore, deputetët e të dyja forcave janë rreshtuar krah njëri-tjetrit dhe kanë kërkuar që kjo reformë të çohet deri në fund. Në një reagim për gazetën “SOT”, deputeti socialist Bujar Çela deklaroi se reforma duhet të bëhet dhe të mos lihet për ditën e fundit. Madje ai lëshoi edhe një mesazh të nënkuptuar për LSI-në, duke theksuar se për fatet e reformës do të vendosin dy forcat e mëdha politike. “Reforma zgjedhore nuk është thjesht Kodi Zgjedhor, është një material total me shumë rregulla të cilat nuk e kanë penguar ndonjëherë Shqipërinë që të bëjë zgjedhjet. Por zakonisht ky debat bëhet nga ata që humbasin zgjedhjet. Por a duhet bërë? Duhet bërë me të gjithë faktorët që marrin pjesë në zgjedhje dhe janë të hapur që të sjellin mendimet e tyre. Por a është bërë ndonjëherë në kohë? Asnjëherë. Gjithmonë është lënë për ditën e fundit, orën e fundit. Ashtu sikurse e dimë ne që pa ndihmën e ndërkombëtarëve nuk jemi në gjendje t’i mbyllim gjërat. Kështu që ky komision bën gjithmonë atë, që kush është më i rëndësishëm, kush prodhon më shumë, por që në fakt asnjëri nuk vendos gjë në tavolinë. Por ajo që them unë nga përvoja katër-vjeçare, është se ato faktorë që vendosin mbi reformën zgjedhore janë dy forcat e mëdha politike me mbikëqyrjen e OSBE/ODIHR dhe Bashkimit Europian”, tha ai.

Ja propozimet e deputetëve

Deputeti i PD, Myslim Murrizi, ashtu si dhe deputeti socialist Bujar Çela, deklaroi dje për gazetën se reforma zgjedhore duhet të bëhet sa më parë. Madje, Murrizi theksoi gjithashtu që duhet të ndryshohet fillimisht sistemi zgjedhor e më pas të vijohet me çështjet teknike. “Unë jam që reforma zgjedhore të bëhet sa më shpejtë. Por për mua, pa hyrë në detaje teknike, duhet të ndryshohet ligji së pari. Pra reforma zgjedhore pa ndryshuar ligjin e sistemit zgjedhor së pari është një gjë e kotë. Është një ngrehinë e kalbur që këta po përpiqen ta lyejnë me bojë por që s’ka themele. Nuk duhet ta fshehin më këtë gjë pasi kanë tre palë zgjedhje që ja fshehin të zgjedhurin zgjedhësit”, tha ai. Sakaq, deputeti Myslim Murrizi bëri dhe një propozim për Ramën dhe Bashën mbi mënyrën sesi duhet të jetë sistemi zgjedhor. “Ky ligj me lista të mbyllura nuk shkon. Unë jam o për sistem të hapur mazhoritar, ose për lista të hapura që kryetarët e partive t’i caktojnë kandidatët, ndërsa deputetët t’i zgjedhë qytetari. Mirëpo shoh një farë neglizhence nga të dyja palët dhe nuk e di pse. Por po e ritheksoj nëse duhet të bëhet reformë zgjedhore duhet të ndryshojë ligji”, u shpreh ai. Por krahas deputetit Murrizi të njëjtin qëndrim mbajti dhe deputeti tjetër i PS, Paulin Sterkaj, i cili tha për gazetën se mbështet një sistem ku të ketë më shumë pushtet populli. “Për mua çdo gjë që rrjedh nga vota e popullit jam i kënaqur. Unë dua atë që ka më shumë populli pushtet. Pra që ta kërkojë populli jo politika. Unë nuk jam me atë që të bësh reformën elektorale për të hyrë në Parlament sa më shumë njerëz që nuk kanë reputacion në popull. Jam me atë që populli të vlerësohet më shumë”, u shpreh Sterkaj.

LSI rrezikon “shkrirjen”

Konsensusi mes PD dhe PS sa i takon reformës zgjedhore duket se ka futur në panik LSI-në. Kjo për faktin se ndryshimi i sistemit zgjedhor mund të shkaktonte një goditje për LSInë, e cila gjatë këtyre viteve të fundit ka mbledhur një numër të konsiderueshëm deputetësh në Parlament. Madje, LSI nga frika e ndryshimit të sistemit ka shprehur rezerva edhe në vitin 2015, ku ish-kryetari i kësaj force, Ilir Meta si dhe eksponentë të ndryshëm u shprehën kundër vendosjes së një sistemi zgjedhor “Prim”. Kjo sepse nëse PD dhe PS vendosin një sistem të tillë ato mund ta asimilojnë totalisht LSI-në për faktin se ky sistem nxjerr jashtë loje partitë e vogla./Endri ARIZI

Komentet

komentet