Zëvendësministri i Kulturës, Daim Luçi ka reaguar pas deklaratave të deputetit Skender Rexhepi-Zejdi në lidhje me të në “Summer Click” në TV21.
Luçi thotë se asnjëherë nuk i ka braktisur shokët, ndërsa mohon se zv/ministër është bërë me ndihmën e Zejdit, ai shton se në këtë post ka arritur si propozim nga partia Alternativa.
“Të gjithë ata që më njohin e dijnë se, unë asnjëherë nuk i kam braktisur shokët e mi, miqësinë e konsiderojë si diçka të shenjtë. Por, të jem i sinqertë, asnjëherë nuk kam konsideruar se miqësia varet nga lojaliteti politik, sepse nëse kjo do ishte kështu atëherë miqtë nuk do ishin miq por do ishin grupim që i lidhin interesat personale. Në politikë u kyqa duke besuar se bashkë mundemi të krijojmë më shumë vlera të mirëfillta, të ndryshojmë gjendjen për të mirë të atyre që përfaqësojmë dhe vendit në përgjithësi. Asnjëherë askend nuk e kam pyetur se si është bërë deputet apo drejtor dhe se cila është përgjegjësia e tij kundrejtë njerëzve që e kanë zgjedhur dhe e kanë ndihmuar të vjen deri te ajo pozitë. Unë, zëvendësministër i Kulturës u bëra me propozim të subjektit politik Alternativa në të cilën atëkohë i takoja, ndërsa propozimi ishte i mbështetur nga mandatari, tani kryeministri z.Kovaçevski. Funksionin vlerësoj se e ushtrojë me dinjitetin më të lartë dhe asnjëherë pa ndonjë kalkulim dhe interes personal dhe kështu do e ushtroj deri sa jam në këtë detyrë, pasi që jam edukuar dhe rritur që gjithnjë të jem në shërbim të miqve dhe rrethit shoqëror”, thuhet mes tjerash në reagimin e Luçit./TV21