“Luftë speciale serbe ndaj Qeverisë Kurti”, gjenerali Qehaja tregon si duhet të veprojnë institucionet e Kosovës

Njohësi i çështjeve të sigurisë kombëtare, gjenerali Ramadan Qehaja, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit me targa të automjeteve ndaj Serbisë, ishte i qëlluar dhe i domosdoshëm.

Ai ka thënë se ky veprim, është akt autonom i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit me targa të automjeteve, ishte i qëlluar dhe i domosdoshëm, aq më parë që këtë situatë pala serbe e ka iniciuar dhe vite me radhë e ka zbatuar njëanshmërisht, duke bërë heqjen e tabelave të automjeteve të Kosovës dhe kushtëzimin me vendosjen e tabelave të Serbisë për të hyrë në territorin e tyre. Duke mos dashur të hyjë në përshkrimin e situatës së krijuar, në veçanti për detashimin e njësitit të forcave tona speciale policore, kujtoj se një veprim i tillë i qeverisë sonë ishte më se i domosdoshëm. Domosdoshmëria e detashimit të këtyre forcave speciale të policisë sonë do të thotë akt autonom i një shteti të pavarur dhe sovran siç është Kosova”, është shprehur gjenerali Qehaja, në një shkrim të dërguar në gazetën “Bota sot”.

Sipas ekspertit të sigurisë, forcat speciale të policisë së Kosovës, nuk duhet të largohen nga veriu, pasi kjo siç ka thënë ai, do të ishte e dëmshme.

“Duke analizuar situatën e krijuar, mendoj se çdo propozim dhe përpjekje e kujt do qoftë për tërheqjen e këtyre forcave kishte me qenë i dëmshëm për shumë arsye. Zbrapsje nga ky veprim, sipas mendimit tim, nuk guxon të ketë”, ka thënë Qehaja për “Bota sot”.

Ai ka thënë se zyrtarët serbë, përmes urdhëresave të tyre, po bëjnë luftë speciale dhe po ushtrojnë presion ndaj Qeverisë së Kosovës për zbrapsje dhe heqje dorë nga vendimi i vet.

“Beogradi zyrtar në fakt po e destabilizon situatën e sigurisë me veprime të rrezikshme sikur që është urdhëresa për mbylljen e dy pikave kufitare dhe atë të Jarinjës dhe Bërnjakut, përkatësisht duke bllokuar (barrikaduar) qarkullimin e automjeteve dhe mallrave. Në anën tjetër, është më se evidente se deklaratat e presidentit Vuçiq dhe të zyrtarëve të tjerë të Beogradit për dhënien e urdhëresës për lëvizje, përkatësisht pozicionim të forcave ushtarake përgjatë vijës kufitare me Kosovën, nuk janë asgjë tjetër përveç demonstrim dhe kërcënim luftarak ndaj Kosovës. Njëkohësisht kjo urdhëresë mund të kuptohet edhe si luftë speciale si dhe ushtrim të presionit ndaj qeverisë së Kosovës për zbrapsje dhe heqje dorë nga vendimi i vet”, është shprehur më tej Ramadan Qehaja.

Sipas tij, nuk duhet nënçmuar demonstrimi i forcave dhe mjeteve luftarake serbe në veri të Kosovës, pasi ata janë në gatishmëri qqë të veprojnë.

“Shikuar nga aspekti i pretendimeve në vazhdimësi territoriale serbe ndaj pjesës veriore të Kosovës, konkretisht në veri të lumit Ibër, atëherë ky demonstrim i forcave dhe mjeteve luftarake serbe nuk mund të nënçmohet. Kjo sepse njësiti ushtarak serb, supozoj të një batalioni të motomekanizuar dhe të përforcuar nga garnizoni i Rashkës dhe të një njësiti të madhësisë së një batalioni të motomekanizuar nga Novi Pazari dhe njësiteve tjera të përkrahjes së tyre, janë në gatishmëri që të veprojnë”, ka potencuar më tej njohësi i çështjeve ushtarake.

Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës, duhet të bisedojnë urgjentisht me sekretarin gjeneral të NATO-s, për të kërkuar vigjilencën më të madhe të njësiteve të KFOR-it si dhe duke informuar vendet e Kuintit në detaje për këtë kërcënim.

“Kujtoj se për këtë kërcënim ushtarak serb duhet urgjentisht të bisedohet me sekretarin gjeneral të NATO-s, duke kërkuar vigjilencën më të madhe të njësiteve të KFOR-it si dhe duke informuar vendet e Kuintit në detaje për këtë kërcënim. Për këtë kujtoj se duhet ndërmarrë një veprim të përshpejtuar për ngritjen në gatishmëri të lartë të njësiteve te policisë dhe FSK-së. Kjo aq më parë që çdo shtet sovran pas këtyre kërcënimeve ushtarake nga shteti fqinj do të ndërmerrte masa vetëmbrojtëse dhe kjo është e drejta jonë”, ka theksuar Ramadan Qehaja.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka njoftuar se ka thirrur për sonte mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pas tensioneve në veri të vendit./