Luftime të ashpra në qytetin strategjik të Jemenit

0

Luftime të ashpra u raportuan në Jemen, pasi forcat pro-qeveritare, të mbështetura nga një koalicion që udhëheq Arabia Saudite, nisën një ofensivë në qytetin Hudajdah, i cili kontrollohet nga rebelët Huthi.

Hudajdah është porti ku arrijnë shumica e ndihmave humanitare.

Emiratet e Bashkuara Arabe konfirmuan se katër ushtarë të saj janë vrarë, ashtu si edhe 22 rebelë Huthi.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë sot bisedime urgjente për situatën.

Është hera e parë që koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite bën përpjekje të marrë kontrollin e një qyteti mirë të mbrojtur në Jemen.

Rreth tetë milionë njerëz janë në rrezik nga uria në vendin e shkatërruar nga lufta.

Agjencitë e ndihmës paralajmëruan se luftimet në Hudajdah mund të shkaktojnë katastrofë humanitare.

Konflikti në Jemen ka shpërthyer që nga fundi i vitit 2014, kur rebelët Huthi dhe aleatët e tyre kanë kapur pjesët veriperëndimore të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana, dhe kanë detyruar presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi të largohet.

Komentet

komentet