Ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në të dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë sfidat kryesore për Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2023, thonë njohësit e çështjeve politike, Marko Trashanovski dhe Arsim Sinani.
Pikërisht këto dy çështje, sipas tyre, edhe ishin më të diskutueshmet gjatë vitit 2022, në veçanti lufta kundër korrupsionit për shkak të dështimit të gjyqësorit për të luftuar elementet kriminale që kanë përfshirë të gjitha nivelet duke u bërë pengesë për zhvillimin e vendit në kohën e krizës më të rëndë ekonomike në botë.
“Nivelet e korrupsionit do të vazhdojnë të kenë ngritje në Maqedoninë e Veriut për shkak se ky pushtet nuk është i aftë ta menaxhojë këtë problem. Gjyqi nuk është i njëjtë si për qytetarët maqedonas si për ata shqiptarë. Kemi rastin skandaloz me Sasho Mijallkovin, të cilit i bëhen lëshime që mendoj se janë të palejueshme dhe nuk duhet të amnistohet pasi në këtë rast dëshmojmë se kemi një gjyqësor problematik. Rasti më eklatant për perceptimin tim është se gjyqi nuk është i njëjtë”, thotë Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike.
“Mendoj se duhet të inkurajohet veprimi që bëri SHBA-ja për të parë se kush janë njerëzit e korruptuar dhe t’u vendosen sanksione për të liruar qytetarin pasi ikja masive e popullatës nga vendi është edhe për shkak të korrupsionit, dëshpërimit dhe mosfunksionimit të institucioneve”, vlerëson Sinani.
Gjyqësori, pengesë për sundimin e ligjit
Kritikat e shumta të zyrtarëve të lartë të BE-së dhe SHBA-së kanë ngritur alarmin për institucionet që të ndërmarrin masa efikase për sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut.
Kritikat janë intensifikuar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për anulimin e vendimit të shkallës së parë për Sasho Mijallkovin, ish- shef i Policisë sekrete, i dënuar me 12 vjet burgim për aferën e përgjimeve masive.
Reagimet nisën që pas zgjedhjes së Islam Abazit në krye të Prokurorisë së Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dhe pretendimeve të shumta në opinion për lidhjet e tij me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), që është pjesë e Qeverisë.
Vesna Daneva, e cila më parë ka qenë e angazhuar si drejtuese e sektorit juridik të Lidhjes Social Demokrat (LSDM) në pushtet, tani është zgjedhur kryetare e Këshillit Gjyqësor, organit më të lartë për mbikëqyrjen dhe rregullimin e punës së gjykatave.
SHBA-ja e dëshpëruar nga dështimi i gjyqësorit
Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, ishte shprehur e dëshpëruar për gjendjen e gjyqësorit, që sipas saj, ka dështuar pavarësisht investimeve të shumta që janë bërë nga SHBA-ja.
“Mendoj se është shumë dëshpëruese. Gjatë kësaj periudhe njëmujore që ndodhem këtu, kam parë punë që janë konfuze, problematike… është një dëshpërim i madh. Me dekada kemi investuar. Dëgjojmë se çfarë ndodh në prapaskenë me manipulimet gjatë emërimeve në postet kryesore. Duhet angazhim për ta zhbërë korrupsionin dhe për t’i mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar. Mosndëshkimi duhet të marrë fund”, kishte deklaruar Aggeler.
Maqedonia e Veriut nis bisedime për anëtarësim në BE
Pas 17 vjetësh pritje, Maqedonia e Veriut, më 19 korrik hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE).
“Kjo është një ditë e madhe dhe historike për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Pas 17 vjetësh pritje, pas 17 vjetësh vendime të vështira, të rëndësishme, domethënëse, patriotike, Republika e Maqedonisë së Veriut filloi negociatat për anëtarësim të plotë në BE”, kishte deklaruar kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Hapjes së bisedimeve i parapriu Marrëveshja me Bullgarinë për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike.
Por, Bullgaria mban të drejtën e vetos nëse pala maqedonase nuk i miraton ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në preambulës e saj, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me atë që njihet si propozimi francez për zgjidhjen e kontestit./rel