Në një reagim të ndjerë pas mbylljes së edicionit të sivjetshëm të Eurovisionit, këngëtari i njohur Luiz Ejlli ka shprehur zhgënjimin dhe reflektimin e tij për mënyrën si funksionon votimi në këtë kompeticion. Në një mesazh emocional të ndarë në rrjetet sociale, Ejlli kritikon ashpër mënyrën se si shpërndahen pikët në Eurovision, duke theksuar se ato varen më shumë nga pasaportat dhe miqësitë diplomatike, sesa nga performanca artistike.
“Eurovisioni është festivali ku zëri vlen vetëm nëse vjen me pasaportën e duhur”, shkruan ai, duke përmendur artistë të kaluara si Frederik Ndoci, Aurela Gaçe, Rona Nishliu e Anjeza Shahini, të cilët dhanë performanca të jashtëzakonshme, por që u ndeshën me një realitet të padrejtë votimi.
Në mesazhin e tij, Ejlli vë në dukje se Shqipëria, ndonëse ka sjellë artistë me zë dhe identitet të fortë, nuk arrin të marrë vlerësimin e merituar në skenën europiane për shkak të mungesës së ndikimit gjeopolitik dhe të aleancave rajonale.
“Ne japim art, ata bëjnë politikë. E në fund Eurovisioni mbetet një konkurs ku më i miri është ai që e ke mik në rajon. Na falni që s’kemi kufij me 14 shtete!”, shkruan ai me ironi.
Artisti thekson se Shkodra Elektronike, projekti muzikor që përfaqësoi Shqipërinë këtë vit, solli në skenë një Shqipëri tjetër: moderne, elektrike, me identitet, dhe kjo mbetet më e rëndësishme sesa çdo pikë në tabelën e votimit.
“Muzika nuk është sport ku ka arbitër. Muzika është ndjenjë, dhe kjo ndjenjë nuk futet dot në kalkulime politike”, përfundon Ejlli mesazhin e tij.
Reagimi i tij ka ngjallur mbështetje dhe reflektim në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë ndajnë mendimin se Eurovisioni ka humbur balancën midis artit dhe interesave politike.(INA)