Lushtaku dhe dy persona tjerë përfundojnë në paraburgim

Gjykata Themelore e Mitrovicës ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ish-nënkryetarit të Komunës së Skenderajt dhe një nga të dyshuarit për plagosjen e dy policëve në Skenderaj, Nuredin Lushtaku.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i Lushtakut, i cili ka thënë se do të ankohen në apel për këtë vendim.

Afër oborrit të Gjykatës janë parë forca të shtuara të Policisë.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, për plagosjen e dy policëve në Skenderaj janë ndaluar edhe dy familjarë të Lushtakut, teksa prokuroria ka bërë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Kujtojmë se dje është intervistuar Nuredin Lushtaku, por mbrojtja e tij e kishte konfirmuar lirimin pas intervistimit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarit F.L., dhe A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Siç njofton prokuroria, “ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë”.