Lypësi në krye të shtetit

Nga Fisnik BIBA

Një mik imi ma përmend shpesh një histori të vjetër të fëmijërisë tij, përgjatë Kurban Bajramit në Shkodrën e viteve ‘90.
Më tregon se ka qenë zakon atëherë (nuk e di a është kështu dhe sot), që njerëzit e varfër të shkonin e të trokisnin der’ më der’ dhe të kërkonin diçka, lëmoshë a gjasend, nga njerëzit e tjerë me rastin e kësaj feste.

Dhe shton se këta të fundit e kishin “për detyrë” të falnin diçka. Kështu, i pat’ qëlluar, në moshën shtatë vjeçe, ta linin vetëm në shtëpi e ëma dhe gjyshja për pak orë, duke i lënë porosi, ashtu siç çdo nënë e mirë bën dhe sot, ta mbylli mirë derën dhe për asnjë arsye mos t’ia hapi atë kujt tjetër, që nuk ishin vetë ato. Shumë pak mbasi nënat kishin dalë, vjen një njeri dhe troket te dera:

Kush ashtë? – pyet fëmija (ndoshta dhe pak i frikësuar).

Jam fukara, – përgjigjet tjetri.

Fukara! – ia kthen i vogli – më kanë thanë mos me ta hap derën!

Jam mërzitur dhe kam qeshur hidhur jo pak herë me këtë histori të tij. E kam gjykuar gjithmonë si një përgjigje fort të pafat. Që fëmija, krejt i pafajshëm në natyrë, më i prirur se kushdo i rritur të ndajë me të tjerët atë pak që ka, t’i drejtohet një njeriu të varfër, sikur të bëhet fjalë pikërisht për atë, pra për filan fukara që nuk duhet t’i hapi derën. Diçka tragji-komike. Një përgjigje që vlen ndoshta dhe si një qortim a kujtesë për kohën.

Nuk e di pse m’u kujtua kjo histori kur dëgjova për të disatën herë kryeministrin e vendit të thotë jo pa njëfarë mburrje: Unë jam një lypës i mirë! Di të lyp, unë! Do e kërkoj vaksinën der’ më der’ gjer kur të ma japin atë lëmoshë! Unë! (Siç besoj ishin lëmoshë edhè ato pak doza që u sollën në Shqipërinë e tij).

Duke e menduar pastaj më gjatë e duke e tjerrë më hollë, nuk e pata vështirë ta përngjasoja atë me fukaranë që pat’ trokitur dikur në derën e mikut tim. Por me një ndryshim madhor që shkon mes tyre.

Jo pak herë kryeministri ka shfaqur shenja se vuan nga deliri i madhështisë sikur në krejt Shqipërinë ka mbetur vetëm ai. (Ai është ati e biri, kali e gomari, këmba e sandalja.) Por ky delir ka të bëjë, në të shumtën e rasteve, me gjëra krejt pa rëndësi për të mirën publike.

Arritjet imagjinare të vendit, si krahasimi i shëndetësisë sonë me ato të Francës e Gjermanisë, sikur të mos ishin për t’u shkulur gazit këtu e njëzet vjet rresht, janë fatkeqe, tinëzare e të dëmshme. Por kur duhet që më të vërtetë ai të jetë jo madhështor, por në gjendje ta bëjë plotësisht detyrën e tij, ky kryeministër na bëhet i vogël, ndrydhet e ndjen keqardhje, se kjo gjë nuk na qenka në dorën e tij, dhe nuk varet prej shtetit që drejton.

Prandaj guxon, kur ky delir i kthehet në paaftësi, t’i sulet BE-së në shumë dalje publike, se kjo e fundit nuk i paska falur lypësit vaksina. Dhe këtë gjë e ka bërë së fundi nga foltorja e vllaut të tij të madh, në Ankara. Por u kthjelluam se sa serioz ai është mbi këtë çështje, kur ambasadori i BE-së në vendin tonë, para disa ditësh iu përgjigj një gazetari të VOA-s për këto fjalë: Këtë ankesë nuk e kuptoj. E kemi ndihmuar gjithmonë këtë vend. Pastaj dëgjo, Shqipëria nuk ka një plan vaksinimi!

Shqipëria nuk ka një plan vaksinimi. Kjo është e vërteta e egër!

Ta lëmë pastaj, si diçka më vete, imazhin aspak të varfër që jep vetë kryeministri dhe ministrat e tij përreth. Të kamur e të uritur për luks, të babëzitur, sikur kjo është një sëmundje që ju rrjedh nëpër deje. Darka me misionin për të “falur” (këta lypsa) portin e Durrësit e jep drejt këtë sëmundje. (A po shqyrtohet nga prokuroria shqiptare një çështje kaq e rëndësishme për vendin? Si dhe kur u hap kjo garë? Ç’do të thotë t’i japësh dikujt portin më me rëndësi të vendit? Pse arabëve pastaj? S’kemi partnerë në BE, që do ishin të interesuar për të?)

Po e përfundoj me një dëshirë ose kërkesë. Unë do doja që kryeministri i vendit tim të mos sillej si një lypës. Zyra më e pushtetshme në Shqipëri, që ka me vete gjithë fjalën e fytyrën e shtetasve të saj, nuk mund të vendosë maskën e një fukaraje, dhe të dali të lypë në emër të tyre. Kam përshtypjen se njeriu më i padenjë në krejt hapësirën shqiptare, do e kish sadopak cipën të mos bënte fukaranë në krye të shtetit.

Se ndoshta edhe fati do jetë i egër me të. Mund t’i qëllojë dikush, kësaj here i rritur dhe krejt i vetëdijshëm, që i përgjigjet nga ana tjetër: Fukara, më kanë thanë mos me ta hap derën!