Made in Veles: Kartelat ‘milionëshe’ me portretin e Trumpit

INA
INA

27/02/2024

Ann Bratton nga Shtetet e Bashkuara mendoi se kishte gjetur një aksion, ku do të investonte gjashtë mijë dollarë dhe do të fitonte katër milionë.

Nuk e kishte idenë se pas reklamës për blerjen e “Trump kartelave”, që e bëri të humbiste mijëra dollarë, qëndronte një grup njerëzish nga qyteti Veles në Maqedoninë e Veriut.

Grupi, prej kohësh, kishte fituar një reputacion famëkeq, duke përdorur emrin e ish-presidentit amerikan.

“Sigurohuni të na shkruani për t’ju dhënë udhëzime specifike se si t’i mashtroni amerikanët”, thotë një mesazh në gjuhën maqedonase në një kanal të mbyllur të Telegramit, i cili mund të hapet vetëm me miratimin e administratorëve.

Në mesin e tyre janë shitësit e Velesit.

Pas disa muajsh hulumtime dhe infiltrimi në grupe të mbyllura në platformën Telegram, Radio Evropa e Lirë identifikoi 69 individë që krijuan oferta mashtruese për shitjen e kartelave të debitit me imazhin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Gazetarët gjetën edhe 88 ueb-faqe aktive në kohën e shkrimit të hulumtimit, përmes të cilave ofrohen produkte për “patriotët amerikanë”.

Numri i shitësve që komunikojnë me klientët, mund të jetë shumë më i lartë, sepse disa kanale të mbyllura në Telegram kanë mesatarisht nga rreth 300 anëtarë.

Radio Evropa e Lirë i dërgoi disa emaile shërbimit për media të fushatës së Donald Trumpit, për ta pyetur nëse është në dijeni për ngjarjet që lidhen me shitjen e kartelave të pavlera dhe nëse planifikon të ndërmarrë diçka në këtë drejtim. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Velesi – me pak më shumë se 45.000 banorë – u bë i famshëm para zgjedhjeve amerikane të vitit 2016, kur mediat botërore zbuluan se në këtë qytet ishin krijuar më shumë se 100 ueb-faqe politike, të cilat përhapnin lajme të rreme dhe favorizonin politikën e Trumpit.

Ueb-faqet transmetonin përmbajtje nga blogjet ultra-konservatore dhe e reklamonin atë përmes Facebookut, duke gjeneruar miliona shikime në muaj.

Si funksionon skema e re?

Ann Bratton, bashkëbiseduesja në fillim të këtij artikulli, kaloi përmes skemës së re të krijuar në Maqedoninë e Veriut.

Kjo pensioniste 86-vjeçare, nga periferia e Nashvilles në shtetin federal amerikan të Tenesit, u interesua për një reklamë që kishte parë në Telegram, e që informonte për shitjen e një kartele debiti me imazhin e ish-presidentit amerikan, Trump.

Sipas tekstit të shkruar në reklamë, secila kartelë kishte të parapaguar 200.000 dollarë.

Bratton i tha REL-it se bleu njëzet kartela të tilla, duke i paguar gjithsej 6.000 dollarë.

Duke vepruar kështu, mendoi se po siguronte një investim për familjen e saj, nga i cili, përfundimisht, do të merrte katër milionë dollarë.

Ajo nuk e kishte idenë se i gjithë rrjeti pas kësaj reklame, u krijua 8.000 kilometra larg, përtej oqeanit, në Maqedoninë e Veriut.

Matrica, në shikim të parë, duket e thjeshtë. Ajo që u thuhet qytetarëve amerikanë, është se prodhimet e blera sot me imazhin e Donald Trumpit, do të vlejnë miliona dollarë pas rikthimit në pushtet të presidentit të 45-të amerikan.

Në shitje ka kartela, monedha, afishe, pulla dhe produkte të ngjashme, që janë krejtësisht të pavlera. Të gjitha përcillen me premtimin se pas rikthimit të Trumpit në krye të SHBA-së, ato do të jenë para në qarkullim.

Pretendimet për kthimin e shpejtë financiar të parave të investuara, shpërndahen përmes kanaleve të ndryshme në internet – më së shpeshti tek ata që mbështesin ish-presidentin amerikan.

Tash për tash, nuk ka asnjë reagim nga autoritetet përgjegjëse as në SHBA, as në Maqedoninë e Veriut, ndaj faktit se qytetarët amerikanë po mashtrohen, ndërkohë që në llogaritë e shtetit të vogël evropian derdhen miliona dollarë. REL

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

ballkani-1024x873-1

Nevojitet ritëm i shpejtë për reformat në gjithë Ballkanin Perëndimor

NATO

NATO, shtim forcash në dy vatra të nxehta ballkanike

bilall kasami kumanove

“Ju ka hyrë fesati, po përçahen çdo ditë” – Kasami thumbon Frontin Europian

IMG_1227

Shqiptarët mbeten pa deputet në Kroaci, Ermina Lekaj Prljaskaj nuk siguroi votat e duhura

eu-be-rusi ndikimi rus ballkan

Sondazhi i IRI-t: Shumica në Ballkan janë për në BE dhe kundër Rusisë, serbët s’duan BE dhe pro Rusisë

IMG_1225

HDZ fitoi zgjedhjet parlamentare në Kroaci

zgjedhje maqedoni

Sot nisi fushata për zgjedhjet parlamentare

Nora-Taravari-921x614

Zonja Nora Taravari tregon për jetën me doktorin dhe arsyen pse ai vendosi të kandidojë për president

zoran-milanoviq

Presidenti kroat: Vuçiq ma çoi një letër 5 faqëshe, por ne e mbështesim Kosovën në KiE- me shqiptarët jemi të afërt dhe miq

INFO

NA NDIQ