MAGJIA E RRËFIMIT NË VETË TË PARË

0

(Nehas SOPAJ – Kronikë e zezë nga koha e kuqe, romani i dytë i trilogjisë Vallja e vdekjes së verdhë, botim autorial, 2020, Kumanovë)

Agim MORINA

Të shkruash për të kaluarën për një kohë ku ti je në epiqendër të ngjarjeve, do të ishte sikur të hysh në një dhomë aq të ndriçuar sa që dritat nuk do ta mundësonin ta shohësh atë që  gjendet në të. Kjo mbase sepse nuk është e qartë se e kaluara mund të të mjegullohet (apo është e mjegulluar nga koha kur kanë ndodhur ngjarjet), por përshtypjet e mbetura dhe të thella, ta mundësojnë që madje edhe me sy të mbyllura t’i gjesh sqepat e tyre apo të kalosh nga dera deri te dritaret e tyre!

“Çdo të mirë për të ndjerin”!“Fjalë më të zgjedhura për të kaluarën se sa kujtimet, nuk e kanë fuqinë që të vrasin”. Këto fraza mund të ngjasin të kota pas një apo dy gote të pira me shokun që moti nuk e ke parë. Kjo mund të jetë një bisedë relaksuese pas një darke të rëndë kur truri nuk punon, kur fjalët të vijnë nga diku, nga një kohë të quajtur “e kaluara ime”, së cilës, dëshiron t’i kthehesh sa të duash, kaq sa të frikohesh t’i kthehesh. Bota e artistit, në këtë rast bota e shkrimtarit Nehas Sopaj, nuk është bota e njeriut të rëndomtë, sepse ai nuk e shef siç e shohin të tjerët, ai kërkon dhe gjen diçka krejt tjetër që nuk shihet me sy të rëndomtë, diçka që është prodhim i imagjinatës së tij të madhe. Është kjo një limonti prej së cilës e vërteta e trondit atë që e lexon veprën, që do të thotë se ky roman mbështetet në faktet plot horor. Artisti nuk është historian, ai prandaj edhe nuk duhet të paraqitet si fotograf i jetës reale, sepse atëherë atë do ta quanim historiograf. Këndi i vrojtimit të shkrimtarit tonë bashkëkohor Nehas Sopaj kah e kaluara, sidomos nga kjo që lexojmë në romanin Kronikë e zezë nga koha e kuqe, nuk paraqet vetëm një kthim i thjeshtë në të kaluarën, por kjo paraqet një fundosje në të, një zhytje e thellë drejt kërkimit të të vërtetës. Ajo nuk është e shlyer dhe mjegulluar, sado që ka mbetur larg nga koha e sotme; kjo e vërtetë është konkrete dhe gjendet në vitet ’80 të shekullit të kaluar, dhe narratori atë e kërkon vazhdimisht, duke e përsëritur tri herë (shihni sintagmën në nëntitullin e romanit: “një ngjarje e rrëfyer tri herë”). Ajo paraqet një dëshmi të kumtuar me pasion nga një intelektual shqiptar, kjo është një vrasje makabre që kish ndodhur në shtetin mbeturinë, të Liliputanisë me liliputët.

Që në fillim të golgotës së ushtarit Isë, njoftohemi me dy “mjekë” të specializuar që të kontrollojnë sëmurjet e ushtarëve të rinj shqiptarë të cilët kanë ardhur në ushtri që ta kryejnë afatin ushtarak dhe të kthehen në shtëpi. Trajtim të veçantë kanë ushtarët shqiptarë të cilët, jo rrallë, në vend që të kthehen si të tjerët, kthehen në sarkofagje. Tentimi i tyre perfid për shërim, nuk përfshin shërimin fizik të tyre, por ky është thjesht operim i trurit, krijimin e bashkëpuntorëve mes radhëve të tyre, krijimin e tyre si vegla puthadorës, që në këtë shtet vetëm do t’u shërbenin, e nëse jo, atëherë ai i vret. Kjo është përgatitja e ushtarëve shqiptarë në APJ për t’i shërbyer shtetit, që me gjuhën e thjeshtë i quajmë spiunë, kjo nënkupton larjen e trurit të tyre që është mjeshtëria e tyre djallëzore, duke harruar se shqiptarët “lëngonin” nga një “sëmurje e madhe” siç është dashuria për Kosovën, mbrojtja e dinjitetit dhe lufta për lirinë që u mungonte.

Eprorët e lartë të sigurimit nuk e kuptonin këtë gjë; muaj të tërë nuk kuptojnë se sëmurja e Isës ishte dashuria për të vërtetën e cila i takonte të drejtës së tij, moraliteti i tij. Kuptimi i shërbimit ushtarak në ushtri për Isën është rezistenca për të mbijetuar, qëllimi i tij është mbrojtja i dinjitetit duke e refuzuar lojën e djallit për bashkëpunim, që këtu e gjithë koha e kaluar është ferr, kurse loja e intelektit të tij paraqet poshtërim duke ia mohuar “aleancën e djallit” që ia ofrojnë ata, qoftë kjo edhe me kërcënim jete! Eprorët ushtarakë të shndërruar në “mjekë”, nuk kuptojnë se në vend që t’i “shërojnë” ushtarët shqiptarë, duan ta “mjekojnë” sëmurjen e tyre që vetë e kanë provokuar, luftojnë kundër “infeksionit” që vetë e kanë lëshuar në atë shtet artificial, Liliputani!

Që në hapat e para mbi bordin e anijes ku duhej kryer shërbimi ushtarak, që nga çastet të para në ushtrinë e udhëheqësit të madh, Isa kupton se gjendet në mjedisin e farisejve dhe me në krye Pontije Pilatin. I dëshpëruar në këtë mjedis farisejsh, Isa e kujton historinë botërore që e tëra vlon me manipulime, gënjeshtra, mashtrime dhe lakmi. Isa ndeshet me të keqen dhe krenohet njëkohësisht me vetëdije se kjo rrugë është e rrezikshme, por është mjaft e fuqishme që të ngadhënjejë mbi frikën. Kjo është vetëdija e përgatitur që të notojë përtej ujërave të rrezikshme, t’i vërejë kurthet e eprorëve të sigurimit ushtarak, që mbeten të mposhtur nga syçeltësia dhe qëndresa e Isës.

Isa është i vetëdijshëm për ekzistimin e farisejve në ushtri, e di se vetëdija e tyre e ulët, e përkrahur me lakmi, ndoshta edhe me një naivitet të imët, e krijon Kastriotin që del si vegël e manipuluar që më parë, por ai asnjiherë nuk do ta thërrasë atë tradhtar. Balansin e gjen në besnikërinë e Jusufit (Cufës).

Ditët e kaluara si ushtar i Jugosllavisë, për Isën është koha që duhej harruar ajo katrahurë, por ajo nuk harrohej edhe pas shumë dekadash se është koha më reale e jetës, sepse aty njoftohesh me frikën që është më e gjallë se sa lumturia, më e gjallë se sa vdekja dhe ballafaqimi me të që është një klithje për jetën, për dritën. Shumë vonë, kur çdo gjë do të duhej të qe harruar, mu kur fillimin e kishte përpara sërish, Isës i del rruga e ndriçuar me mundësitë e shumta për shpëtim (apo ato ishin vetëm lojëra të “mjekëve”), atje në Gurin e Zi ku gjendet me shokët, Isa nuk e gjen qetësinë e vet shpirtërore, sepse ai vetë vetveten e ndjen se është kohë, një kohë me një hero ballëpërballë një djalli në atë vend dhe në atë kohë, në atë shtet artificial.

Isa është kronikë, jo kronist, por kronik-u që digjet si zjarr thellë në brendinë e çdo intelektuali shqiptar në ato kohëra të pa kohë, në atë shtet pa shtet. Duke u shprehur në vetën e parë, Isa shndërrohet në protagonist të realitetit objektiv, po edhe bartës të fillimit të ndryshimeve që po prisnin të ndodhin. Simbolet dhe metaforat e kërkuara me kujdes nga mitologjia ilire, greke dhe romake, e bëjnë zotëri Nehas Sopajn përpunues modern dhe abstrakt i tyre, por unë nuk do të pajtohesha me këtë mendim. Ai në të drejtë ne na e paraqet realitetin të shikuar sipas pasqyrës së tij, të tijën por edhe të mijëra njerëzve që i fshehin pasqyrat e veta. Jemi të lumtur që Nehas Sopaj nuk e ka thyer pasqyrën e vet, edhe pse jeta ndoshta shumë herë këtë gjë ia ka kërkuar dhe sprovuar! Na duhet vetëm të shikojmë në pasqyrën e tij dhe të përkujtohemi se në çdo pasqyrë, e djathta është ana e mëngjër. Vetëm ashtu, realitetin e Nehas Sopajt do ta shohim të plotë, të zhveshur para nesh, se kjo është ëndërr e tij e zezë, në errësirë, mu ashtu siç kish ndodhur çdo gjë në atë kohë, në shtetin e Liliputëve.

Në shumë raste, realiteti për Isën është aq i rëndë sa që ndoshta do të duhej të vazhdonte të jetonte vetëm në botën më vete, në botën e Isës së vetmuar, ku ekziston dashuria, ndoshta në formë joreale, ekziston por si mundësi e fundit për të vazhduar të jetojë. Nuk është me rëndësi a është Mria reale, apo jo! Ajo është mbështetja, është kuptimi i ekzistimit, shpresa për të nesërmen, arsyeja për t’u zgjuar rishtas, pastërti e ujërave që vijnë nga malet e Karadakut. Mria është dëshira për të vazhduar prania e vetes së heroit, për të rezistuar, për të ngritur kokën lart, për të besuar! Nehas Sopaj asnjëherë nuk do të thoshte: grua, dobësi është emri yt! Me  dobësitë njerëzore është njoftuar përtej “shokëve”, burrecave, lajmëtarëve të së keqes.

Isa shumë herë do të klithte: ”tradhtar, dobësi është emri yt”, por asnjëherë nuk klith kështu, sepse para tij gjithmonë fitues i dilte Cufa!!!

Hakmarrja dhe frika gjenden gjithkund rreth tij, por jo te qenia e tij. Te ai ka mbetur diçka që e dallon të kalburën, te ai përherë ekziston dyshimi, dyshimi madje për çdo gjë që e rrethon! Po të mos ishte Mria?! Po mos të ishte Mria, ndoshta nuk do ta kishim kënaqësinë që ta lexojmë këtë vepër të mrekullueshme nga literati ynë i shquar, zotëri Nehas Sopaj.