Paralajmërimi se kriza politike dhe kushtetuese në Mal të Zi do të diskutohet në seancat e janarit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian dhe më pas të Këshillit Evropian, do të thotë se është kuptuar serioziteti i situatës, thotë për Radion Evropa e Lirë profesoresha Gordana Gjuroviq, ish-ministre e Integrimeve Evropiane e Malit të Zi.
“Komisioni Evropian ose një e treta e anëtarëve të BE-së mund të rekomandojnë pezullimin e negociatave me Malin e Zi, ose të propozojnë kushte për vazhdimin e tyre”, thotë ajo.
Gjatë një vizite në Mal të Zi, më 15 janar, ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë më 23 janar në Bruksel për masat e mundshme që mund t’i marrë blloku, nëse Mali i Zi nuk e zhbllokon Gjykatën Kushtetuese me zgjedhjen e gjyqtarëve që i mungojnë.
Gjuroviq, megjithatë, shpreson se do të arrihet marrëveshje për konstituimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Për mua, paralajmërimi i BE-së është shumë i qartë, i pritshëm dhe shumë serioz. Mali i Zi kurrë nuk ka qenë kaq i bllokuar, nuk ka qenë kurrë nën kërcënimin e një bllokade të tillë, siç po ndodh në fillim të vitit 2023, pas një dekade negociatash [për anëtarësim në BE]”, thotë Gjuroviq.rel