Mandati i deputetit i Gruevskit sot në Kuvend

0

Komisioni për Çështje të Rregullores, Imunitetit dhe Mandatit sot do të shqyrtoj mundësinë e heqjes së mandatit të deputetit në arrati Nikolla Gruevski. Mungesa e tij gjashtë mujore pa arsye, plotëson kushtin ligjor për heqjen e mandatit të deputetit.

Nëse kërkesa për mandatin merr dritë jeshile në Komision, më pas kalon në seancë plenare, ku duhet të votojnë 80 deputetë. Nëse kjo arrihet, sipas KSHZ-së kandidati i radhës që do ta zëvendësoj Gruevskin nga lista e VMRO DPMNE-së dhe koalicionit të njësisë zgjedhore numër 4, do të jetë Gjoko Kamçev, përcjellë INA.

Gjashtë muaj më parë, ndonëse në mungesë të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së, me 62 vota “pro”, u votua për heqjen e imunitetit të deputetit Gruevskit, i cili u arratis dhe mori azil në Hungari. Kuvendi atëherë pranoi rekomandimin e Komisionit amë pas kërkesës së gjykatës për shkak të caktimit të masës së paraburgimit për lëndët e Prokurorisë Speciale.

Ish kryeministri Nikolla Gruevski u arratis në nëntor të vitit të kaluar pas dënimit me burg prej dy vitesh për lëndën e Prokurorisë Speciale “Tanku” për blerjen e Mercedesit luksoz. Pasi fitoi të drejtën e azilit politik në Budapest, autoritetet hungareze deri tani nuk i janë përgjigjur kërkesës së Shkupit zyrtar për ekstradimin e tij. Nga janari, pas disa ndryshimeve ligjore, Gruevski nuk e merr më rrogën e deputetit.(INA)