Manovra ushtarake kineze në afërsi të Tajvanit, presidentja i quan kërcënim

0

Tajvani nuk është frikësuar prej manovrave ushtarake kineze të kësaj jave, ka thënë presidentja Tsai Ing-wen të martën, pasi që manovrat më të reja kineze janë quajtur nga një zyrtar i lartë amerikan “shtrëngim” dhe kërcënim për stabilitetin e rajonit.

Ushtria kineze ka thënë se anijet luftarake të saj, bombarduesit dhe aeroplanët vëzhgues kishin ndërmarrë “manovra të domosdoshme” përreth Tajvanit të hënën. Ato prej zyrtarëve ushtarakë të Kinës janë quajtur rutinë.

Tsai ka thënë se Tajvani është i vendosur në mbrojtjen e vet.

“Forcat e armatosura të Kinës kanë dërguar dje një numër të madh të aeroplanëve ushtarakë dhe anijeve në afërsinë tonë. Veprimet e tyre e kërcënojnë Tajvanin dhe vendet tjera në rajon”, ka thënë Tsai, transmeton Koha Ditore.

“Këto veprime shërbejnë vetëm për fuqizimin e vendosmërisë sonë. Forcat tona ushtarake kanë kapacitetin, vendosmërinë dhe përkushtimin për ta mbrojtur Tajvanin, duke mos lejuar që masa shtrënguese ta diktojnë të ardhmen tonë”, ka thënë ajo.