Maqedoni e Veriut: Bujqit ulin prodhimin, s’kanë ku i shesin produktet

INA
INA

25/02/2024

“Pa treg të sigurt për prodhimet bujqësore, subvencionet nga shteti janë pothuajse të kota pasi shitja e produkteve me gjithë ndihmat, është nën koston e prodhimit”, thonë për Radion Evropa e Lirë nga Asociacioni i Bujqve në Maqedoninë e Veriut.

Nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë, nga viti 2010 për çdo vit ndahen subvencione në vlerës nga 100 deri në 130 milionë euro për bujqit e rinj me qëllim që të ngrihen kapacitetet prodhuese.

Agim Iseni, të cilin e takojmë në tregun e gjelbër në Shkup duke shitur spinaqin që e kultivon në serat e ngritura në Haraçinë, thotë se për çdo vit është duke e ulur sasinë e prodhimit. Ai shprehet se për ta kultivuar spinaqin, “i dalin shtatë palë djersë, por për ta shitur që të mos kalbet në arë, i dalin 77 palë djersë”.

“Ku ta di se pse nuk ka blerës. Myshterinjtë s’kanë para apo ku është problemi nuk di të them. Ja 50 denarë është spinaqi (80 centë) në pikë të dimrit, ama s’ka kush e blen. I marr tre thasë e s’mund t’i shes tri ditë këtu në pazar”, thotë Iseni. Ai shton se ndihmat nga shteti janë të pamjaftueshme që ta mbjellë gjithë tokën që e posedon pasi mungon fuqia punëtore, kurse ajo që është, është e shtrenjtë.

“Nuk ka mbetur kush të punojë. Një punëtor merr më shumë se ajo që mund të shes”, thotë ai.Edhe Zendel Halimi thotë se po ta kishte tregun e sigurt, do të mbillte më shumë patate në fshatin e lindjes, Brezë, në Malësinë e Kumanovës.
“Po, do të prodhoja patate dhe qepë në sasi më të madhe ama s’ka kush i blen. T’i nxjerrim jashtë [Maqedonisë së Veriut], duhet cilësi dhe standarde që ne s`mund t’i arijmë”, thotë ai.

Petar Stojkovski, kryetar i Shoqatës së Fermerëve në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se të rinjtë e kanë shumë vështirë të merren me bujqësi pasi gjeneratat e reja, falë njohurive teknologjike, janë në gjendje të kalkulojnë fitimin akoma pa e mbjellë farën.

“Fillimisht duhet garantuar çmimi i produkteve bujqësore dhe plasimi i tyre. Pa këtë, askush nuk është i sigurt në prodhim. Puna jonë duhet të vlerësohet realisht dhe pastaj shteti të japë subvencione shtesë për produktet që i konsideron strategjike dhe ne jemi të kënaqur me këtë. Por, subvencionet nuk duhet të jenë për t’i mbuluar shpenzimet”, thotë Stojkovski.

Sipas tij, autoritetet shtetërore duhet të ngritin kapacitetet e hulumtimeve shkencore në Fakultetin e Bujqësisë dhe në bazë të analizave, fermerët të jenë në dijeni se cilat zona janë të përshtatshme për mbjelljen e kulturave të caktuara dhe cilat mënyra duhet aplikuar gjatë kultivimit që produktet e caktuara të jenë në gjendje t’u bëjnë ballë ndryshimeve klimatike.

“Autoritetet kompetente shkencore duhet të bëjnë një ekzaminim të tokës në tërë Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të thonë se në cilat zona disa kultura bujqësore do të zhvillohen më së miri”, thotë Stojkovski duke shtuar se kjo është arsyeja kryesore që ka ulur prodhimin e produkteve bujqësore.

Ai kujton se më parë ishin agronomët ata që bashkë me buqit kontribuuan që Maqedonia e Veriut të jetë një kopsht perimesh, jo vetëm për vendet e ish-Jugosllavisë, por edhe më gjerë.Ministria e Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, nga viti 2010 deri më tani ka ndarë rreth 1.5 miliard euro në formë të subvencioneve për bujqit.

Këto mjete, megjithatë, nuk kanë kontribuar në rritjen e shfrytëzimit të tokës bujqësore.

Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave të vitit 2022 nga sipërfaqja e përgjithshme e tokës bujqësore prej 514.436 hektarësh, janë mbjellë me kultura të ndryshme bujqësore vetëm 275.297 hektarë, ose 53 për qind e tokës bujqësore.

Arben Halili, ish-drejtor i Odës Ekonomike dhe ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tetovës, thotë për REL-in se subvencionet për bujqit janë më se të rëndësishme, por për të pasur efekt ato, duhet ndryshuar modeli i zbatimit të tyre.

“Së pari, për fat të keq, një pjesë e fermerëve subvencionet nuk i shohin si një komponentë zhvillimore, por si një komponentë sociale”, thotë Halili.

Në bazë të të dhënave të Bankës Botërore, sektori i bujqësisë në Maqedoninë e Veriut merr pjesë me 8.6 për qind në Bruto Prodhimin e përgjithshëm Vendor.

Në vitin 2022, fermerët në vend kanë prodhuar më së shumti misër – 286.455 tonë, pasuar nga 238 mijë tonë speca, 196 mijë tonë patate, 151 mijë tonë domate dhe 164 mijë tonë mollë.
Burimi: Radio Evropa e Lirë

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

rijad shaqiri hysni shaqiri

Rijad Shaqiri: Unë me mburrje e them se jam biri i Hysni Shaqirit

vlen llogo

VLEN: Bujar Osmani është supermjeshtri i korrupsionit në këtë shtet

mpj22-696x385

Maqedonia e Veriut formon shtab krize për evakuimin e shtetasve nga Lindja e Mesme

mesuesi

Vdiq pishtari i arsimit, mësuesi nga Sllupçani, Qemal Iseni

arberesha kryeziu

Deputetja e VV-së, Hyseni: Bujar Osmani përfaqësues i “Ballkanit të Hapur”, Arben Taravari i rreshtuar përkrah Kosovës

spital-infermiere-mjeke shendetesi

Mjekët specialistë privatë në RMV nga sot në grevë të përgjithshme

shkupi

Turistët nga Turqia dominojnë për turizëm në Maqedoninë e Veriut

Mickoski vmro platforma

Mickoski: Kohët kur Reçica mund të shantazhonte dhe të diktonte kushte kanë ikur

hotel mijallkov oher

Kompania e Mijallkovit filloi me ndërtimin e një hoteli luksoz në Ohër, reagon “02 Iniciativa”

INFO

NA NDIQ