Duke iu referuar të dhënave të evidencës së autoriteteve të atëhershme okupuese bullgare dhe gjermane, në Maqedoni, më 11 mars të vitit 1944 janë arrestuar 7,144 hebrenj (që përbën 98 për qind të popullsisë hebraike në atë kohë) nga të gjitha pjesët e vendit.
Të arrestuarit janë mbledhur në Monopolin e Shkupit, ku kanë qëndruar deri në fund të muajit mars në kushte ekstreme të rënda higjienike dhe psikologjike.
Prej Shkupit ata janë dërguar në Poloninë e atëhershme të okupuar, në kampin “Trebinka”, ku janë ekzekutuar. Asnjëri nga të arrestuarit nuk është kthyer.
Dëshmitë e fundit, përmes dokumenteve të ekspozuara në Qendrën Memoriale të Holokaustit në Shkup, nxjerrin në pah se ajo pjesë e popullatës prej 2 për qind, është shpëtuar falë guximit kryesisht të familjeve shqiptare, të cilat i kanë strehuar dhe njëkohësisht kanë ndihmuar në transferimin e tyre në Shqipëri.
Skender Asani, drejtor i Institutit për trashëgimi dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se institucionet shtetërore dhe shkencore në vend, për 75 vjet nuk kanë hedhur dritë ndaj një fakti të rëndësishëm, atë se ishin shqiptarët ata që i shpëtuan nga deportimi familjet hebraike, duke i nisur për në Kosovë dhe Shqipëri.
Ramadan Meliqi , rrëfen për Radion Evropa e Lirë, se si fëmijë, gjatë vitit 1943, mban mend familjen hebreje Fransis, e cila për një kohë ka qenë e strehuar në familjen e tij dhe më pas babai i tij, Veli Meliqi, në emër të besës së dhënë, i ka dërguar në Shqipëri. Atje familja Fransis ka qenë më e sigurt.
Veli Meliqi, strehues i një familjeje hebreje
“Katër anëtarët e familjes Fransis, i ka marrë baba nga shtëpia këtu në Shkup dhe i ka dërguar deri te shtëpia jonë, të cilën e kemi pasur në Han të Elezit. Aty ata mbërritën në mëngjes, ku edhe kanë bujtur, kanë tharë rrobatsepse ishin lagur nga rrjedha e lumit Lepenc”.
“Baba i ka mbajtur në shpinë, sepse lumi kishte ardhur me vrull në atë mars dhe kuajt s`kanë mundur të tërheqin karrocën kështu që fëmijët hebrenj të kësaj familjeje baba i ka bartur në shpinë një nga një”, veçon copëza kujtimesh Ramadan Meliqi, rreth të tetëdhjetave, i cili në atë kohë ka qenë më pak se dhjetë vjeç. (INA)