Maqedonia e Veriut dhe tifozeritë pro-evropiane e pro-ruse

Picture of ina-online
ina-online

07/08/2023

Kur i dëgjon politikanët pozitarë e opozitarë, qofshin ata maqedonas apo shqiptarë, nuk ke se si të mos i ndash në taborë pro-evropian e pro-rus, përkatësisht pro-lindor. Një ndarje e thellë kjo e shoqërisë, ani që paria e politikës po përçapet t’na e shesë si ndasi parapolitike apo edhe identitare, duke provuar kështu se nuk ka nxjerrë mësime nga pësimet e freskëta të homogjenizimeve mbi baza etnike apo fetare. Pak rëndësi ka, kjo!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Në një analizë të përgatitur për nevojat e Komisionit Evropian (2022), autori Mirza Buljubashiq, kriminolog nga Fakulteti i Kriminalistikës, Kriminologjisë dhe Studimeve Kriminologjike pranë Universitetit të Sarajevës, merret me ekstremizmin e dhunshëm djathtist në shtetet e Ballkanit Perendimor dhe në këtë rrafsh nuk e përjashton as Maqedoninë e Veriut. Ja gjetjet e tij kryesore:

“Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, marrëdhëniet maqedonase-shqiptare u ushqyen nga një ndjenjë gjerësisht e përhapur e kërcënimit dhe zënkave që në fund sollën radikalizmin dhe episode të dhunshme. Në vitin 2001, një konflikt i shkurtër i armatosur në rajonin veriperëndimor të vendit përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit, e cila shqiptarëve u garantonte të drejta politike dhe kulturore. Megjithatë, shoqëria në Maqedoninë e Veriut mbeti e polarizuar, ndërsa vazhduan incidentet dhe dhuna lokale. Polarizimi plotësues politik ndodhi pas zgjedhjeve të vitit 2014, të cilat çuan në një sërë protestash kundër sundimit antidemokratik dhe korrupsionit të pretenduar. Në vitin 2017, aktivistët të ekstremizmit të dhunshëm djathtist nga Maqedonia e Veriut hynë në Kuvend duke reaguar ndaj zgjedhjes së një shqiptari etnik Kryetar të Kuvendit. Si dhe në raste të tjera, radikalizimi në Maqedoninë e Veriut mund të kuptohet vetëm nëse hulumtohet dinamika rajonale dhe më e gjerë gjeopolitike.

Disa ngjarje ndikuan në radikalizimin e ekstremistëve të djathtë maqedonas dhe në ndjenjat e tyre pro-ruse, të drejtuara kundër NATO-s dhe BE-së. Marrëdhëniet e vështira me Greqinë (që ndikonin në anëtarësimin në NATO) zgjatën deri më 2018, kurse marrëdhëniet me Bullgarinë ndikuan në procesin e anëtarësimit në BE në vitin 2020. Një ekstremist i djathtë etnik maqedonas ka ndjenja të forta antishqiptare, anti-greke, antibullgare dhe herë-herë antiserbe, ndërsa një ekstremist i djathtë shqiptar etnik ka ndjenja të forta anti-maqedonase dhe anti-serbe. Vetëm grupet neo-naziste janë ithtarë të antisemitizmit. E djathta ekstreme maqedonase mëton të puqet me fenë. Disa organizata margjinale , si Vëllazëria e Krishterë, promovojnë dhunën përmes simboleve dhe përdorin retorikë militante dhe gjuhë të urrejtjes. Më tej, Organizata Atdhetare Maqedonase për Rindërtim Radikal – Vardar, Egje, Pirin, shfrytëzon lëvizjen historike çlirimtare si dëshmi dhe angazhohet për një Maqedoni etnikisht të pastër. E djathta ekstreme maqedonase ka qëndrime pozitive ndaj Izraelit, sepse trajtimin e palestinezëve nga ana e tij e sheh si modelin e dëshiruar për trajtimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Lëvizja Popullore për Maqedoninë ndjek një formulë të ngjashme: ajo kundërshton Marrëveshjen e Ohrit dhe ka një agjendë ekspansioniste territoriale që daton nga periudha para vitit 1913. Ata gjithashtu promovojnë teori të komplotit dhe synojnë, madje edhe parashtrojnë kallëzime penale kundër individëve të cilët i konsiderojnë armiq të shtetit. Kongresi Botëror Maqedonas promovon politikën e identitetit që ngre lartë rëndësinë historike maqedonase, siç është ideja se Maqedonia e Veriut është djepi historik i qytetërimit evropian. Këto organizata kanë ndikim margjinal, por ndajnë disa interesa të ngjashme dhe gëzojnë mbështetjen e aktivistëve të së djathtës ekstreme. Këto grupe shfrytëzojnë rrjetet sociale për propagandë, që shpesh tenton të ngjallë reagime emocionale, sikurse është kërcënime ose ndjenja e urrejtjes ndaj grupeve të tjera etnike, të cilat çojnë në miratimin e dhunës. Midis maqedonasve etnikë veriorë ekzistojnë disa grupe aktive, të ndërlidhura reciprokisht neo-naziste.

Aktivitetet e tyre janë të paqarta dhe të fshehura nga sytë e publikut, kryesisht janë të pranishme në Manastir dhe në Shkup, por kanë njëfarë ndikimi tek ultrasët e futbollit, sikurse janë Komitët, ultrasët e klubit futbollistik Vardar. Aktivitetet e tyre përfshijnë simbolizimin e pranisë së tyre në hapësirën publike, kurse kanë tendencë të promovojnë diskursin për Maqedoninë e pastër dhe shfaqin urrejtje ekstreme ndaj shqiptarëve, grekëve dhe romëve. Ka indikacione se neonazistë ka në Frontin Radikal Maqedonas Saris, i cili promovon idenë e rrënjëve të lashta dhe vazhdimësinë historike të popullit maqedonas, e cila kryqëzohet me ideologjinë e organizatave të tjera të së djathtës esktreme maqedonase.

Ndonëse neo-nazistët janë margjinal, racizmi dhe gjuha e urrejtjes janë gjerësisht të përhapura në internet. E djathta ekstreme shqiptare angazhohet për një autonomi më të madhe të shqiptarëve etnikë ose për Shqipërinë e Madhe. Retorika e fuqishme kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe promovimi i aspiratave nacionaliste territoriale janë të pranishme edhe në internet, edhe në hapësirën publike, për shembull përmes grafiteve. Ballistët, ultrasët e klubit futbollistik të Shkëndijës nga Tetova, manifestojnë ndjenja antisllave, në radhë të parë antimaqedonase dhe antiserbe”.

U pajtuam apo jo me konstatimet e mësipërme, zhvillimet e këtyre javëve të fundit, sikur përforcojnë bindjen se janë forcat kryesore politike ( qofshin ato maqedonase apo shqiptare, qofshin në pozitë apo opozitë) ato të cilat të cilat duhet që të mundohen që betejën elektorale të radhës ta fitojnë me oferta të kapshme e jo me shitje mjegulle dhe sidomos të na bindin se kur flasin për standarde dhe vlera perëndimor, të punojnë për vënien e tyre në jetë e jo – që mendjen ta kenë gjetkë: në Rusi, Lindje a ku ta di! Për shkak se, t’i rikthehemi dhe një herë studimit për nevojat e Komisionit Evropian, të djathtat tona ekstreme nuk luftohen me fjalë, e aq më pak me thirrje për homogjenizim mbi baza etnike! Kur i dëgjon politikanët pozitarë e opozitarë, qofshin ata maqedonas apo shqiptarë, nuk ke se si të mos i ndash në taborë pro-evropian e pro-rus, përkatësisht pro-lindor. Një ndarje e thellë kjo e shoqërisë, ani që paria e politikës po përçapet t’na e shesë si ndasi parapolitike apo edhe identitare.

TË FUNDIT
23 orë
EVN, hajnia përmes shtetit dhe kompanitë private
1 ditë
SHQIPJA NË MAQEDONI, GJUHË ZYRTARE APO JO?
2 ditë
Ekipi i atdhetarëve dhe patriotëve që e shtrinë sovranitetin në Veri të Kosovës
3 ditë
Një thirrje publike, çka po e vret rininë tonë?!
1 javë
Poshtërimi i Atdheut përmes Futbollit

ME TE LEXUARA

23 orë
EVN, hajnia përmes shtetit dhe kompanitë private

LEXO MË SHUMË

rexhail ramadani

EVN, hajnia përmes shtetit dhe kompanitë private

jusuf buxhovi

SHQIPJA NË MAQEDONI, GJUHË ZYRTARE APO JO?

Eugen-Shehu

Ekipi i atdhetarëve dhe patriotëve që e shtrinë sovranitetin në Veri të Kosovës

naser-pajaziti

Një thirrje publike, çka po e vret rininë tonë?!

baton haxhiu

Poshtërimi i Atdheut përmes Futbollit

astrit lulushi

Lamtumirë koleg i dashur, Astrit Lulushi!

skenderbeu gjergj kastrioti hora e arberesheve

Shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe Sindromi i Fregolit

sunaj raimi

STOP ngulfatjes së Gjuhës Shqipe në Republikën e Maqedonisë Veriore!

Mislim Zendeli

Zendeli: Shumë kush nuk besonte por ja që ndodhi e pamundshmja u bë e mundshme BDI-ja shkojë n’opozitë

INFO

NA NDIQ