Maqedonia e Veriut ka siguruar mjetet për funksionimin normal të shtetit deri ne fund të 2020

0

Maqedonia e Veriut do të pëballoj krizën të shkaktuar nga koronavirusi.

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski ka qetësuar duke thënë se janë siguruar paratë dhe se nuk do të ketë probleme apo mungesë parash për rroga, pensione apo transfere tjera.

“Të gjitha paratë për funksionim normal deri në fund të vitit janë siguruar, në kuptim të rrogave, pensioneve, transfereve të tjera. Nuk mund tërësisht të vlerësojmë se çka do të ndodhë deri në dhjetor, por presim që të gjitha aspektet do të përmirësohen, edhe shëndetësia edhe ekonomia, në maj kemi derdhje të shtuar në buxhet për dallim nga prilli. Do të kemi lëvizje shtesë ekonomike, nuk i ndërpremë investimet kapitale, po bëjmë gjithçka për ta mbajtur shtetin ekonomikisht aktiv”, theksoi Spasovski mbrëmë për TV24, përcjell INA.

Ai tha se këtë vit shteti ka borxhe milionëshe dhe norma interesi, për shkak të borxheve që janë trashëguar nga VMRO-së.

“Qëndrimi ynë është se partitë nuk duhet t’i marrin paratë shtetërore për këtë vit , të cilat u takojnë sipas ligjit. Edhe ne do të mbetemi në atë, edhe pse partitë e tjera nuk dakordohen. Kjo është njejtë si me funksionarët, tanët i dhurojnë rrogat, të tjerët nuk e bëjnë atë. Do të mendojmë nëse me dekret mund t’i kufizojmë paratë për partitë nga buxheti”, tha kryeministri Spasovski.

Sipas tij, shteti është i gatshëm të përballet edhe me valën e tretë të koronavirusit, por vetëm nëse ka institucione funksionale, si parlamenti dhe qeveria politike.

Nga Ministria e Financave kanë informuar se me dhënien e Eurobondit dhe huas nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në vlerë prej 176 milionë euro dhe huave nga Banka Botërore në vlerë prej 140 milionë eurove si dhe mjetet nga Bashkimi Evropian prej 160 milionë eurove, mbyllet konstruksioni financiar për nevojat e sivjetme, gjegjësisht deficiti i projektuar në 6,8 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor.

Së fundi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka hyrë në borxh prej 700 milionë eurosh, mjete këto që do të duhet të kthehen me kamatë prej 3.675 për qind brenda gjashtë viteve.

Borxhi i Maqedonisë së Veriut pritet të shkojë në mbi 6 miliadë euro.(INA)