Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani, ka deklaruar se vendi është kundër kthimit të mundshëm të ushtrisë serbe në Kosovë.
Osmani tha se Shkupi po i përcjell me shqetësim ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe vlerësoi se intensifikimi i ndërmjetësimit përmes ideve konkrete është një mundësi e mirë që duhet ta shfrytëzojnë të dyja palët, duke thënë se është duke folur për ndërmjetësimin evropian përmes një propozimi evropian franko – gjerman.
Osmani tha se Maqedonia e mbështet Prishtinën në veprimet e saj që, siç tha, “të zbatojë ligjin në të gjithë territorin”.
Ai po ashtu tha se Shkupi e mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se, sipas tij, sa më shpejt duhet të arrihet një zgjidhje gjithëpërfshirëse e bazuar në njohje reciproke.
Osmani mendon se Kosova këtë vit duhet t’i bashkohet Kartës së Adriatikut, presidencën e së cilës këtë vit e merr Maqedonia.(INA)