Hulumtimi i Institutit për qeverisje të mirë dhe perspektivë euro-atlantike me temat “Çfarë duan të rinjtë – Profesionet e së ardhmes kërkojnë njohuri dhe aftësi sot”, tregoi se të rinjtë në Maqedoninë e Veriut shfaqin apati, mungesë interesi, ndërsa ajo që është edhe më shqetësuese, viteve të fundit në masë të madhe shfaqin “dëshpërim”.
Sipas këtij projekti vetëm 13% e të rinjve mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e duhur, ndërsa 55% janë të mendimit se drejtimi në të cilin po ecën shteti është i gabuar, vetëm 3 nga 10 të rinj besojnë se në 5 vitet e ardhshme shteti do të jetë një vend pjesërisht më i mirë për të jetuar, ndërsa 6 nga 10 të rinj do të shpërnguleshin jashtë vendit menjëherë nëse do tu jepej mundësia.
Të dhënat e fundit të Eurostat për vitin 2020 tregojnë se papunësia tek të rinjtë (15-29 vjeç) në Maqedoninë e Veriut është 29.6%, ndërsa sipas Agjencisë për Punësim, në nëntor të 2022 janë regjistruar 9.324 persona të papunë (20-24 vjeç), 10.354 (25-29 vjeç), dhe 2.052 (15-20 vjeç), e që në përgjithësi numri i të papunëve nga 15 deri 29 vjeç arrin në 21.730 persona, 32.451 persona (15-34 vjeç), numër ky i cili përmban numrin e përgjithshëm të personave aktiv të cilët kërkojnë punë, rikualifikim, trajnim shtesë, hapjen e bizneseve, apo edhe lloje tjera të mbështetjes nga shteti. Rezultatet e regjistrimit tregojnë një tendencë të lartë të rinjve për tu larguar nga vendi.
Nga 2002 deri në 2022 numri i të rinjve nga 15-29 vjeç është ulur me 150.000, (në 2001 mosha nga 19-29 vjeç përbënte 480.828 të popullsisë ose 24%), në 2021 ky numër ishte 326.733 ose 18% e popullsisë. Kjo është një trend që tregon se popullsia në Maqedoninë e Veriut po plaket.
Shqetësues është edhe trendi i ikjes së të rinjve, ku sipas regjistrimit të 2021 rreth 100.000 qytetarë që në 2002 ishin nga 15-29 vjeç, e që sot do të ishin 29-35 vjeç, nuk jetojnë në vend. Ndërsa sa i përket profilit të punësimit, më shumë punonjës me profesione me aftësi të mesme janë të rinjtë nga 15-24 vjeç (70% e punësimit e të rinjve në vitin 2019). Oferta e punësimit me arsim të lartë është rritur ndjeshëm këto 10 vitet e fundit, e që logjikisht çon në një ndryshim të rëndësishëm në kategoritë arsimore tek të rinjtë.
Përqindja e moshës nga 30-34 vjeç në vitin 2009 që kanë marrë diplomë universitare është prej 14.3%, në 2019 si rezultat i liberalizimeve të regjistrimit kjo shifër u dyfishua në 35.7%. Por, pavarësisht tendencave pozitive për të përfshirë popullsinë në procesin arsimor, matjet e Programit për Vlerësim Ndërkombëtar tregojnë se cilësia e arsimit është e ulët dhe e pamjaftueshme./Koha.mk/