Maqedonia kundërshton anëtarësimin në Bashkësinë Politike Evropiane

A do të jetë e kënaqur Maqedonia me anëtarësimin në të ashtuquajturin Komunitetin politik evropian në vend të Bashkimit Evropian? Ideja e një aleance të re, e paraqitur nga presidenti francez Emanuel Macron, tashmë është miratuar nga kreu i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, shkruan Alsat.

Sipas njoftimit, përveç vendeve të BE-së, në Komunitetin e ri do të përfshihen edhe vendet kandidate, si dhe Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia dhe Britania e Madhe. Kryeministri Kovaçevski beson se ky komunitet nuk do ta prekë procesin aktual të zgjerimi.

“Sigurisht që në Bashkimin Evropian ka proces të zgjerimit, në të cilin proces jemi pjesë dhe ne. Ai proces i zgjerimit, që bëhet sipas metodologjisë së re, të klasterave dhe hapjes së kapitujve, nuk është i nevojshëm dhe besoj se nuk do të ndikohet nga përafrimi i BE-së me mjedisin e ri gjeopolitik”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Nga OBRM-PDUKM thonë se anëtarësimi në BE nuk duhet të ketë alternativë dhe u befasua që një pjesë e ekspertëve vendor e mirëpriti idenë e një bashkësie të re politike.

“Maqedonia nuk ka vend në ligën e dytë. Mendoj se është koha që Evropa të mbetet parimore në premtimet e saja dhe të paktën për Maqedoninë të mos zbatojë standarde të tilla të dyfishta”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i OBRM-PDUKM-së.

Ambasadori i BE-së, David Gir, argumenton se ideja e re nuk do të sjellë ndryshim në anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

“E vetmja rrugë është zgjerimi me Ballkanin Perëndimor, është prioritet absolut dhe është një rrugë e bazuar në reforma. Nuk mendoj se kjo ide do të ndikojë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Union”, theksoi David Geer- Shef i Misionit të BE-së.

Ndërkohë, aktiviteti diplomatik është rritur si në Shkup ashtu edhe në Sofje për të zhbllokuar rrugën e integrimit evropian të vendit dhe komisioneri i BE-së Didie Rejnders ka vendosur tashmë 30 qershorin si afatin përfundimtar deri në të cilin të dy vendet duhet të arrijnë një zgjidhje./Alsat/