Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka bërë të qartë se zgjedhje të parakohshme mund të ketë vetëm nëse opozita pranon të votojë për ndryshimet kushtetuese dhe pastaj do të shpallen zgjedhjet e parakohshme.
Sipas tij, ky është opsioni i vetëm që Qeveria do ta pranonte.
“Nuk mendoj se është koha për zgjedhje të parakohshme, por është koha të marrim përgjegjësi dhe të zbatojmë detyrimet tona. Qytetarët do të na jenë mirënjohës nëse e kryejmë obligimin para zgjedhjeve, që zgjedhjet të mos rëndohen se kush është PRO dhe kush është KUNDËR ndryshimeve kushtetuese, sepse kjo do të na çojë në një tunel të ri 10-vjeçar, nga i cili. ne nuk e dimë nëse do të mund të dalim më shpejt se 10 vjet. Nuk është koha për zgjedhje të parakohshme, është koha për të marrë vendime”, theksoi Mariçiq, i cili aktualisht po ndodhet në SHBA për një vizitë zyrtare, përcjell INA.
Lidhur me qëndrimin e VMRO-DPMNE-së se nuk do të lëvizë nga pozicionet e saj, nëse ka plan B dhe nëse është në Uashington për të kërkuar mbështetje nga aleati strategjik – SHBA, ai thotë se vendi ka mbështetjen e aleatëve, por jo për ndonjë plan B.
Sipas tij, ekziston një ndjenjë se është prishur konsensusi për BE-në, pasi VMRO-DPMNE-ja ka marrë qëndrim tepër të prerë për të mos i përkrahur ndryshimet kushtetuese.(INA)