Mario Balotelli aktualisht po stërvitet në Kastenjato, në provincën e Breshës, në pritje të një mundësie të mire për ta vazhduar karrierën. “SuperMario”, i cili ditët e fundit thuhet se ka refuzuar një klub nga India, po stërvitet me mikun e tij të përjetshëm, Simone Gezzi.
“Unë jam këtu, sepse është puna ime. Futbolli është jeta ime, dua të jem gati”, – tha ai për “La Repubblica”, para seancës së radhës stërvitore.
34-vjeçari (i mbushi në gusht) ka mbetur pa ekip që nga korriku, kur i skadoi kontrata me Adana Demirspor. Sezoni i tij i fundit në Turqi, me 16 ndeshje dhe 7 gola, përfundoi me dënim disiplinor, çka e detyroi të humbiste dy sfidat e fundit të kampionatit. Tashmë, pas bredhjeve të gjata nëpër Europë, sulmuesi i lindur në vitin 1990 shpreson të qëndrojë në Itali.
“Do të doja shumë të qëndroja në Itali, këtë here,” ka theksuar Baloteli.
Më shumë se 200 gola në karrierën e tij, Balotelli ka shënuar gjithashtu 14 herë me fanellën e kombëtares. Emri i tij kthehet periodikisht në modë, kur sulmi i Italisë është në vështirësi: “Ajo që ka rëndësi për mua është të rikthehem të luaj futboll. Nuk mendoj më për kombëtaren”.