Marrëveshja e Bashkëpunimit Kulturor: Tiranë-Tetovë-Mitrovicë-Preshevë-Bujanoc

0

Shkruan : Xhemaledin SALIHU

Më 26 tetor 2019, në Preshevë, në seancën solemne të Konferencës shkencore: “Trashëgimia kulturore dhe turizmi” u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit Kulturor : Tiranë-Tetovë-Mitrovicë-Preshevë-Bujanoc, nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” Tiranë, Shoqata për shkencë e kulturë “Pellazgët” Tetovë, Qendra për Studim dhe Hulumtim Mitrovicë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë dhe nga Bashkësia Kulturore Shqiptare Bujanoc, me të cilën arritëm pëlqimin e përbashkët për bashkëpunim të ndërsjellë kulturor, shkencor e të artit.
Subjektet kulturore, shkencore e të artit, nënshkruese të kësaj Marrëveshjeje
kaherë, në kontinuitet bashkëpunojnë në organizimet e veçanta, por edhe të përbashkëta kulturore, shkencore dhe të artit.

Bashkëpunimi i tillë synon thyerrjen e barrierave të vuara me kufij të panatyrshëm ndërmjet popullit shqiptar, të depërtimit të ideve kulturore, shkencore e të artit, në të gjitha rajonet shqiptare, për ta arritur synimin e integrimit shpirtëror të popullit shqiptar, të ndarë padrejtësisht.
Pra, qëllimi i bashkëpunimit është shkëmbimi i përvojave të ndërsjella, nëpërmjet organizimeve të veçanta apo edhe të përbashkëta kulturore, shkencore dhe të artit.
Qëllimi kryesor i nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Kulturor është organizimi i Festës së Plisit të Bardhë, në të gjitha rajonet shqiptare, nënshkruese të kësaj Marrëveshjeje, me qëllim që Festa e Plisit të Bardhë të shpallet Festë Mbarëkombëtare, që Plisi të jetë qenësor, në mbrojtjen dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, kuptohet pos qenësive të tjera.
Kuptohet që mbështetjen dhe përkrahjen morale dhe material duhet ta japin qeverisjet lokale, rajonale e qendrore, sektori publik e privat, donatorët e tjerë.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit Kulturor është me rëndësi jetike dhe ka rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm për subjektet nënshkruese, por edhe për rajonet shqiptare në përgjithësi, në integrimin shpirtëror të popullit shqiptar dhe të arritjes e krijimit të një hapësire të përbashkët kulturore kombëtare.
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore dhe Presheva me kënaqësi e nënshkroi këtë Marrëveshje, e cila siguron bashkëpunim të ndërsjellë, hap horizonte të reja kulturore, shkencore e të artit.
Shoqata për Trashëgimi në Preshevë qe disa vjet organizon Konferenca shkencore, në të cilën marrin pjesë studiues nga Tirana, Kukësi, Struga, Tetova, Shkupi, Kumanova, Mitrovica, Prishtina, Gjilani, Vushtria, Bujanoci, Medvegja dhe ka arritur të nxisë bashkëpunimin kulturor rajonal shqiptar dhe integrimin e kulturës shqiptare.