Shkruan: Muhamer Pajaziti
Marrëveshja e Ohrit ishte rezultatë i luftës së djemve të UÇK-së.
Ata ishin meritorët e firmosjes së dokumentit që thuhet se solli paqen në Maqedoni.
Ata u çarmatosën dhe u tradhtuan nga prijësit politik që qeverisën për më shumë se 20 vite.
Statusi i pjesëmarrësve të luftës së vitit 2001 nuk u rregullua kurrë.
Një pjesë e madhe e ushtarëve nuk u trajtuan me respektë dhe dinjitet.
Shumica prej tyre mbetën pa punë, ose punonin punë të vështira ndërtimtarie, taksi, roje para spitaleve e shkollave, e disa emigruan drejt vendeve të BE-së.
Partia shqiptare, por edhe ne si shoqëri, nuk u kujdesëm për shkollimin e avansimin e tyre, duke ju mundësuar që të ndërtojnë karriera e të japin kontributin e tyre edhe në paqe.
Në këto rrethana, përjetimi i paqes për shumë ushtarë ishte i rëndë dhe me pasoja fatale.
Ka prej tyre që vdiqën nga sëmundje të ndryshme dhe në varfëri të skajshme, disa u egzektuan, disa i montuan nëpër procese gjyqësore dhe përfunduan në qelitë famëkeqe maqedonase.
Një grusht i vogël profiterësh u pasuruan në emër të luftës dhe së fundi familjarëve të tyre u dolën në shesh milionat e përvetësuara.
Kjo është padrejtësia më e madhe e politikës dhe shoqërisë shqiptare në Maqedoni, e cila këtyre ditëve po përgatitet ta shënoj Marrëveshjen e Ohrit, por pa autorët dhe meritorët e këtij dokumenti.