MARRËVESHJET “PREJ SHEJTANI!”

0

Nga Fadil Lushi/
Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe fjalën “marrëveshje” e ftillon kësisoj: Pajtim mendimesh ose pranim i një qëndrimi të caktuar që arrihet ndërmjet dy a më shumë vetave, palëve etj. për të rregulluar një çështje, për të kryer një punë etj. Sa herë që unë bëj përpjekje ta lakoj nocionin e marrëveshjes, aq herë “hesapet” më dalin “çatall” a si lesh arapi. Miku im i dashur! Dëgjo me vëmendje çka do të them! Kjo puna e marrëveshjeve është njësoj si ajo gropa e madhe ku mblidhen ujërat e zeza ose ujëra të tjera të padobishme dhe, po ja hoqe kapakun gropës a pusit, lëre që djalli do të dalë në “mejdan”, por edhe gjithë lagjja do të marrë erë të rëndë e të qelbët! Për këtë dhe arsye të tjera, marrëveshjet sidomos ato politike, jo gjithmonë dalin me “tamam” dhe kur këto “allishverishe” mes dy e më shumë njerëzve apo edhe partive politike, do të dalin krejt të gjymtuara, atëherë rezultatet do të jenë dëshpëruese a të pakënaqshme! Sa herë që do të duhet të merresh vesh me palën tjetër, aq herë duhet të bësh lëshime! Mandej duhet të kesh parasysh se njëherë ti mund të “ngulesh” dhe njëherë ai tjetri që ke përballë…, dhe nëse do të gabosh gjatë numërimit të veprimeve tua të papjekura a të dëmshme, dije se me gjithë kokën e prapanicën do biesh në fund të “gjirizit”. Ndaj pikërisht ky shkrim që sot duket para teje është “pjellë” e një “marrëdhënie të gabuar, të dështuar dhe të dëmshme”, që u ndërtua kohë më parë mes meje dhe vëllait tim! Ky vëllaçkoja, ditën kur më takoi ma bëri fiqirin a “rradaken” lesh e li e dhallë. Se më bëri budalla “të tërin”, e kuptova fare mirë, por ama që fjalën e fundit të tërin ma bëri “zap”, hiç nuk e mora vesh, qesh shtrënguar të veproj a të sillem në një mënyrë krejt tjetërfare…, si në “muhabete”, ashtu edhe në shkrime! Ç’është e vërteta, nëse ti hiqesh si çun i “përkëdhelur”, nuk do të thotë se mund të “llafosesh me vëllanë e madh” për diçka a për çështje që nuk mund të kundërshtohen, kur të të teket e si të të teket, dhe nëse do t’i bësh “inate”, atëherë do të qepësh gojën, ndryshe nuk bën, ani se ti mund të kesh titullin e “doktorit të shkencave, ani se mund të jesh psikolog, jurist, akademik, intelektual, teneqepunues, enëlarës në një gjellëtore e tjerë”. Ky vëllaçkoja im, duke përfunduar bisedën më tha: “Ore, ta pashë figurën e riprodhuar a shëmbëlltyrën tënde përreth shkrimit në gazetë!” Meqë unë jam paksa i ngadalshëm në “kapjen e mesazheve”. ia ktheva si me inat…, a mos vallë ke parë “surratin” tim të shëmtuar! Miku im i dashur, unë besoj se ty të kujtohet shkrimi im paraprak, në veçanti paragrafi, që kur me vëllaçkon tim “arritëm ujdinë sa i përket ndërtimit të shkarravinës së radhës!” Që asokohe, vëllait tim të nderuar, i thashë se do ta bëj shkrimin me kusht nëse më fton në gosti. Lëre që nga ajo ujdi nuk doli gjë, dhe lëre që “shkrimin e kishte lexuar ashtu shkel e shko”, por në fund marrëveshjes ia kishte ngjitur bishtin e laraskës! Që kur i parashtrova pyetjen se pse nuk i shleve detyrimet ndaj meje, ma ktheu si me inat: “Ore, unë, nuk të thashë të bësh përshkrimin e vakive a meseleve që duken në përditshmërinë tonë. Në marrëveshjen tonë, u morëm vesh që ti të sqarosh çështjet tona të ngatërruara politike, sociale, arsimore, kombëtare e kulturore dhe jo të llafosësh a të mbash mendjen te haberi rreth rritjes së pensionit tim!” Madje pikërisht kjo rritja e pensionit të tij dhe të tjerëve të tillë si ai, për hiç më shumë se pesë për qind, e “prishi marrëveshjen të ndërtuar me një mijë mundime!” Ç’është e vërteta, kjo rritje prej pesë për qind a me këto gjashtëdhjetë denarët nuk mund të blesh gjë të “hajrit”, përpos ndonjë “çadër prej mushamaje për burra!” Made in China.
Që kur unë nuk “shkova në ujdi me tim vëlla”, më iku mendja te dy mesoburrat me fytyra të pashme…, te dy politikanë nga Shkupi, të cilët disa ditë më parë, për një natë, nuk ishin marr vesh për një çështje të veçantë!… edhe krahas përpjekjeve të tyre për ta zgjidhur çështjen…, në agshol të dritës, “çështja përgjithmonë mbeti beqare!” Që kur erdha në përfundim se nga ai takim nuk doli gjë, më shkoi “fiqiri” te një tjetër marrëveshje dypalëshe, e famshme, historike dhe me paterica, që u ndërtua dikur moti përreth brigjeve të Liqenit “ortak” të Ohrit, mes politikanësh shqiptarë dhe maqedonas…, që sot e kësaj dite ka emrin: “Marrëveshja (pa kornizë) e Ohrit”…, një marrëveshje që ka filluar politikisht të dehumanizohet, një akt juridik që çdo ditë rrudh gjuhën e tij dhe në fund çemancipohet keqas, në një akt ku nuk u përcaktuan deri në fund detyrimet e të drejtat e palës shqiptare…, pavarësisht që asokohe kur u krijua u bazua në dy parime: “I pari llafoste zhvillimin e demokracisë dhe respektimin e plotë të të drejtave të çdo qytetari, i dyti, njohja dhe respektimi i traditave kulturore dhe etnike të qytetarëve të ndryshëm që jetojnë dhe veprojnë në hapësirat e Republikës së Maqedonisë”. Këtij “allishverishi” a marrëveshje, që nuk i gjendet as “nami as nishani”, i shkojnë refrenet e këngës: “Vijnë vaporët”. Fatkeqësisht, në ujërat e liqenit “ortak” të Ohrit ka kohë që nuk duken anijet me kuverta!
Miku im i dashur! Të kujtohet ajo “meseleja” para ca vitesh kur katër partitë më të mëdha të Maqedonisë u morën vesh të themelojnë Prokurorinë Speciale Publike! Të kujtohen 111 votat e deputetëve në Kuvend rreth mëvetësimit të këtij institucioni juridik…, të kujtohet kur zonja NN u propozua prokurore speciale. Të kujtohet kur ajo filloi shqyrtimin e lëndëve të para për krim të organizuar…, të kujtohet momenti kur djalli u fut në “nahijen” e dy partive më të mëdha joshqiptare…, të kujtohet momenti kur kryeparët e dy partive politike filluan të “dyshojnë” në përgatitjen profesionale të “krye-speciales”…, të kujtohet kur politikanët filluan të fusin hundët nëpër zyrat e PSP-së…, të kujtohet momenti kur filluan ta ngatërrojnë “muhabetin”, të kujtohet momenti kur gjithë marrëveshjen e shndërruan në “çatall”…, a more vesh gjë se kush kujt ia nguli me a “pahir”, kush hëngri “tavën turli” dhe kush e “shteri govatën e rakisë së hanxhiut!” Miku im i dashur! Të kujtohet momenti, kur politikanët nuhatën rrezikun, a të kujtohen “lugetërit” që kur mësuan me “tamam” se zonja e nderuar NN, nuk “paskësh koqe” dhe nuk merituaka vendin e nderuar në krye të oxhakut të PSP-së…, brenda një kohe a një afati të shkurtër ia ngjitën bishtin e “kandarit të drejtësisë së re”, e hipën në “arabanë e druve” dhe e dërguan në lagjen e romëve tanë të dashur! Vëllaçko i dashur! Nëse ty nuk të kujtohen këto ngjarje të koklavitura, nëse nuk ke njohuri se si shtrembërohen marrëveshjet, se si mund të duket dora dhe shpata e drejtësisë në këtë “shtet biblik”, atëherë të këshilloj të dëgjosh refrenin e këngës së vjetër qytetare të Qazim Dushkut: “DAL NGADALË PO VJEN BEHARI!”…, ose edhe: “Tumankuqe, moj bel-hollë / Ma bën me sy ma bën me dorë / Te pret djali ne oborr…, (“të Ramçes”)…, Barbaro Vasiliko, moj, dhënt e mia kush i do / Se s’jam i zoti për to”. E, sa u përket dhenve, ju që hiqeni për “mitëmarrës dhe kleptomanë”, mos kini “dert”, aty janë çobanët e beut, çobanët me kërrabën në dorë si dhe shefi i protokollit me çorape të bardha, që shkel mbi marrëveshjet “prej laneti!” Kaq për sot!