Marshi për drejtësi për rastin e Astrit Deharit, kërkohet përgjegjësi

0

Në trevjetorin e vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari është marshuar në kërkim të drejtësisë për rastin e tij.

Me moton: “Një popull për drejtësi”, prej sheshit “Skënderbeu” qytetarë të shumtë, pjesëtarë të shoqërisë civile, aktivistë dhe përfaqësues politikë ‘u stacionuan’ para Prokurorisë së Shtetit për të kërkuar përgjegjësi për vdekjen e Astrit Deharit dhe një proces të ri hetimor.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili edhe ka fituar zgjedhjet nacionale të 6 tetorit në Kosovë, kërkoi hetim të ri të pavarur dhe profesional jo vetëm për rastin Dehari, por edhe për procesin hetimor trevjeçar.

“Një hetim i ri nevojitet. Një hetim i pavarur dhe profesional, jo vetëm për provat materiale, por edhe për rrethanat faktike. Jo vetëm për mbytjen e astritit, por edhe për procesin e kësaj padrejtësie trevjeçare. Astriti u mbyt nga regjimi, sepse nuk po e merrnin dot në pyetje dhe prokurori nuk e merrte në pyetje, sepse Lëvizjes sonë iu jepte përgjigje policore për pyetjet që ne i bënim”, theksoi Kurti.

Lideri i VV-së, tha se Astrit Dehari do të jetë simbol i rezistencës së tyre për të kërkuar drejtësi. Teksa u kthye në kohë, duke thënë se gjatë këtyre tri vjetëve nuk ka pasur synim për të vërtetën dhe drejtësinë, por ka qenë një qëllim tendencioz.

“Edhe në polici edhe në prokurori nuk kemi pasur synim për të vërtetën dhe drejtësinë, por një qëllim tendencioz. Pra, ka ekzistuar një qëllim para drejtësisë. Prej Nexhmi Krasniqit e te Sylë Hoxha na kanë treguar se e kanë një qëllim tjetër tendencioz që është prioritet para së vërtetës faktike dhe drejtësisë ligjore, ata neve na kanë treguar, jo ne atyre”, tha Kurti.

Në emër të familjes Dehari, Destan Dehari tha se zbardhja e rastit të nipit të tij do të shpartallojë, siç u shpreh ai zinxhirin e kriminelëve që u veshën në petkun e institucioneve.

“Sot, pas tri vjetësh, ndriçimi i rastit të Astritit duhet të vijë sa më shpejt, në mënyrë që të ndriçohen edhe shumë raste të tjera. Duke e shpartalluar zinxhirin e krimineleve të veshur në petkun e policitë, drejtorit, inspektorit dhe petkun e ministrit etj. Sepse ju të gjithë këtu edhe ata që s’janë këtu kanë të drejtë që të ndjejnë dorën e fortë të shtetit që i mbron dhe jo të shtetit që i vret”, tha familjari Dehari.

Nga shoqëria civile, Rreze Hoxha kërkoi hetim dhe shkarkim të gjithë personave përgjegjës për rastin Astrit Dehari, sqarimin e rrethanave të vdekjes së shokut të tij në paraburgim, Naser Makolli dhe krijimin e një komisioni hetimor parlamentar në legjislaturën e ardhshme për të trajtuar këtë rast.

Hoxha po ashtu, tha se politika dhe udhëheqësit e institucioneve të para tri vjetëve nuk mund të amnistohen.

“Në këtë marsh, ne kërkojmë që shteti të vihet para përgjegjësisë për mos garantimin e mbrojtës minimale të jetës të Astritit, i cili si aktivist i një partie politike, u paraburgos pa asnjë standard të qartë të hetimit të lirë dhe të pavarur. Politika dhe udhëheqësit e institucioneve të para tri vjetëve nuk mund të amnistohen. Ata duhet të japin përgjegjësi për vrasjen e Astritit. Një vendim i tillë duhet të zbatohet jo vetëm përmes hetimit, por edhe dënimit të duhur për ata që do të cilësohen përgjegjës për këtë vepër”, tha ajo.

Ndërsa, profesoresha në Fakultetin e Mjekësisë, Hatixhe Latifi-Pupovci duke përmendur kontributin e Astrit Deharit në Lëvizjen Vetëvendosje, tha se vdekja e tij do të mbetet një njollë e zezë për sistemin e drejtësisë.

“Vdekja e Astritit do të jetë një njollë e zezë për sistemin e drejtësisë në Kosovë, për faktin se për tre muaj u mbajt dhe asnjë herë nuk u mor në pyetje. Do të jetë një njollë e zezë në sistemin e drejtësisë edhe fakti se një student i shkëlqyeshëm u mor në këmbë dhe e kthyen në arkivol. Do të jetë një njollë e zezë dhe kjo do të mbetet te të gjithë ata që sajuan lloj-lloj arsyetimi për vrasjen e Astritit, gjë që nuk doli të jetë ashtu, as në vlerësimet që u bën në një institucion që është tërësisht i pavarur. E njolla e zezë do të mbetet e pashlyer derisa drejtësia të vijë në vend. Deri kur ata që kryen krime mbi të, mos gjenden klient të vet saj dhe njolla e zezë do të mbetet aty derisa drejtësia për Astritin mos të zbardhet në plotësi”, u shpreh Latifi-Pupovci.

Astrit Dehari u arrestua fillimisht si i dyshuar për sulm mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosjes. Ai vdiq në vitin 2016 në rrethana dyshuese derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit.

Së fundi rasti i tij ka kaluar në juridiksionin e Prokurorisë Speciale, nga Prokuroria Themelore në Prizren, pas arritjes së ekspertizës nga një Institut i pavarur në Zvicër, ku nuk përjashtohet mundësia e vrasjes.