Masakër në Vlorë, 24-vjeçari vret 8 anëtarë të familjes së tij (VIDEO)

0

Në Resulaj të Vlorës u regjistrua pasditen e së premtes një ndër ngjarjet më të rënda në dy dekadat e fundit. Një person ka ekzekutuar në gjakftohtësi 8 persona, anëtarë të dy familjeve Zykaj, me banim në po të njëjtin fshat.

Sipas mediave, autori i ngjarjes Ridvan Zykaj, 24 vjeç, ka hyrë fillimisht në shtëpinë e gjyshërve i armatosur me kallashnikov, e ka shtënë mbi ta dhe dy prej pjesëtarëve të familjes së një xhaxhai. Më tej ka shkuar në shtëpinë e xhaxhait tjetër, 30 metra më larg, për të ekzekutuar edhe 4 persona të tjerë, vet xhaxhain, bashkëshorten dhe dy fëmijë.

Emrat e viktimave janë: Azem Zyka, Afërdita Zyka, Demir Zyka, Ferie Zyka, Besim Zyka, Vasilika Zyka, Sara Zyka dhe Ledjon Zyka.

Mediat bëjnë të ditur se masakra ka ardhur si pasojë e një konflikti për pronat. Autori 24-vjeçar nuk njihet si i sëmurë mendor, por përdorues droge.

Sipas burimeve të Prokurorisë, në hetimet për këtë ngjarje të rëndë do të përfshihen edhe Krimet e Rënda në Tiranë, ndërkohë që momentalisht janë marrë në pyetje prindërit e vrasësit.

Sherri, siç mësohet nga hetuesit, ka nisur pas festës së fshatit. Autori ka debatuar me njërën nga viktimat për një gardh, prej së cilës është ofenduar, e në gjakftohtësi e sipër ka shkuar të marrë armën për të kryer aktin makabër.

Autori 24-vjeçar Ridvan Zykaj u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa po kërkohet nga forca të shumta policie të Drejtorisë së Policisë së Vlorës.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodhen po në këtë qark kanë dalë në aksion për kapjen e tij, pasi konsiderohet tejet i rrezikshëm dhe i armatosur.

Ndërkohë që edhe forca të tjera shtesë nga Tirana janë nisur drejt Vlorës. Reparti RENEA është vënë menjëherë në lëvizje. Të gjitha fshatrat rreth e rrotull Resulajt, i Njësisë Administrative Vllahinë, janë rrethuar nga uniformat blu për gjetjen në kohë të shpejtë të Ridvan Zykajt.

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, i cili konfirmoi edhe zyrtarisht për Policinë e Shtetit se, nga këqyrja e vendit të ngjarjes numërohen 8 viktima, të afërm me njëri-tjetrin.

Policia ende nuk ka një motiv të qartë të ngjarjes, se përse është shkaktuar. Në asnjë ngjarje tjetër të rëndë kriminale në Shqipërinë e pas viteve ’90, një autor i vetëm nuk ka shkaktuar këtë numër të lartë viktimash.

Komentet

komentet