Masakra në Velipojë, 17 vjeçari tregon si u gjend mes plumbash: Pashë gjyshin të rrëzuar në tokë

Gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Hasan Verracakun dhe 17 vjeçarin Elmedin Dyli të vetmit të mbijetuar të masakrës së Velipojës ndodhur rreth orës 00:30 të 27 qershorit. Ndërkohë janë shpallur në kërkim 3 djemtë e Hasan Verracakut: Astrit, Abedin dhe Shyqyri Verracaku.

Ora News ka zbardhur dëshminë e 17 vjeçarit Elmedin që mbeti i plagosur nga kjo përplasje me armë e cila i mori jetën Muedin Zenelit vetëm 19 vjeç Ndërsa Elmendini punonte si kamarier tek hoteli i gjyshit të tij Kujtim Verracaku, Muedini, djaloshi 19 vjeçar punonte si kamarier në hotelin e familjes Gocaj.

Sqarimi
Konflikti për ndarjen e shezllonëve në plazh mes familjes Gocaj dhe Verracaku kishte nisur orë më përpara të asaj dite ndërsa në mbrëmjen e 26 qershorit janë takuar për tu sqaruar.

Hasan Verracaku ka pohuar në polici se kishte marrë leje për shfrytëzim të shezlloneve në plazh Velipojë dhe tek vendi, në fjalë kishin ndërhyrë dhe djemtë e Pjetër Gocës dhe për këtë gjë ishin konfliktuar.

Në mbrëmje anëtarët e familjes, Verracaku, një numër i konsiderueshëm personash (Siç thuhet në dokumentin e prokurorisë) kanë shkuar tek hoteli i vëllezëve Gocaj.

Rreth mesnatës kanë shkuar tek lokali i djemve të Pjetrit disa metra më tutje lokalit të tij për tu sqaruar dhe është ulur në tavolinë me njërin prej djemve të tij dhe pasi kanë biseduar ka krisur arma e zjarrit ku vëllai i tij ka qëlluar me automatik drejt Kujtimit dhe e ka vrarë atë.

Kujtimi I është kundërpërgjigjur me pistoletë dhe ai i është hedhur dhe kapur armën automatike, djalit të Pjetrit dhe më pas janë larguar” thuhet në dokument.

Si u gjend mes breshërisë së plumbave
17 vjeçari Elmedin Dyli punonte si kamarier në lokalin e gjyshit të tij Kujtim Verracaku. Pasi ka mbaruar punë rreth orës 23:30ka dalë me stafin e lokalit për të pirë kafe dhe aty ka dëgjuar debate që vinin përtej lokalit të Hasanit dhe siç kanë qenë bashkë kanë shkuar tek vendi në fjalë.

“Aty ka parë Hasanin që ishte në tavolinë me një person duke sqaruar debatin midis tyre, kishte edhe persona të tjerë të pranishëm.

Në këtë kohë ka shkuar Kujtimi, gjyshi i tij dhe lëshon disa fjalë drejt tyre si “janë marrë këto, kush jeni ju” etj dhe aty ka dëgjuar krisma arme që i kanë ardhur në krah nga pas tij dhe ka parë që Kujtimi është rrëzuar në tokë. Aty kanë filluar edhe të shtëna me armë zjarri të tjera.”

Sipas Elmendit armë ka pasur Kujtimi,(Gjyshi i tij) Hasan Verracaku dhe Abedini, djali i Hasanit, kurse pala tjetër ka pasur automatik dhe gjyshi i tij Kujtimi është kundërpërgjigjur.