Shpenzimet minimale për një familje me katër anëtarë në muajin mars kanë arritur në rreth 50 mijë denarë apo në 820 euro, bazuar në të dhënat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut.
Shpenzimet, krahasuar me muajin janar dhe shkurt, janë më të ulëta për afër 1 mijë denarë apo 15 euro, e që sipas përfaqësuesve të Qeverisë, janë rezultat i masave për uljen, apo ngrirjen e çmimeve të produkteve bazë të ushqimit.
Por, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shporta e konsumatorit është rritur për 15 mijë denarë apo 250 euro.
Të dhënat e sindikatave tregojnë se rreth 20 mijë denarë apo 350 euro nevojiten për ushqim, ndërsa të tjerat shkojnë në shpenzime si për fatura, veshmbathje, produkte higjienike, transport e nevoja tjera.
Masat e Qeverisë në dy muajt e fundit ishin të përqendruara në ngrirjen dhe uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, si të bukës, miellit, vajit, vezëve, pemëve e perimeve, mjeteve higjienike etj.
Por, qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se këto masa fare pak kanë dhënë efekte pasi ato ose nuk respektohen nga tregtarët, ose bëhen manipulime tjera, përfshirë edhe tërheqjen e mallit nga shitja.
Ndryshimi i vetëm vërehet te çmimi i bukës, e cila tani shitet 0.50 euro nga rreth 1 euro sa kushtonte para vendimit të qeverisë.rel