Mata Hari – kurtizanë, valltare, spiune apo protestuese ndaj botës mashkullore?

0

Daut Dauti

Në vitin 1999 Arkivi Kombëtar Britanik, pas 100 viteve, ua hoqi embargon dokumenteve të Shërbimit Sekret Britanik që kanë të bëjnë me Margaretha Zelle-n. Kjo ishte gruaja që bota ndryshe e njihte si Mata Hari e më shumë si valltare, kurtizanë dhe spiune.

Dokumentet arkivore britanike kanë bërë me dije se Mata Hari dyshohej nga shumë shërbime sekrete evropiane për spiunim gjatë Luftës së Parë Botërore. Shërbimi Sekret Britanik dy herë e kishte marrë në pyetje, por asnjë herë nuk gjeti asgjë inkriminuese. Ekzistonin fakte se Mata Hari kishte marrë para nga gjermanët por kurrë nuk kishte vepruar sipas ‘pazarit’.

Në fillim të vitit 1917, një gjykatë në Paris, e përbërë kryesisht nga ushtarakët, e shpalli fajtore Mata Harin në tetë akuzat që iu kishin ngritur. Në fakt, asnjë nga akuzat nuk e dëshmuan fajësinë por ajo u dënua me vdekje. Hulumtuesit e kësaj teme bëjnë me dije se Mata Hari do të mund të dënohej për amoralietet apo për gjithçka, por jo për spiunim se nuk kishte fakte.

Kjo është tema e romanit të Paulo Coelho-s me titull:’The Spy’ (Spiun’ja). Coelho e fillon rrëfimin e romanit nga momenti kur Mata Hari, së bashku me disa gra tjera, nxirret nga burgu dhe ekzekutohen nga një njësi ushtarake për pushkatime. Në formë të një letre të saj, Coelho e vënë lexuesin në binarë të udhëtimit nëpër këtë roman, i cili, sikur edhe veprat tjera të tij, lexohen me një frymë.

Coelho i ka shftytëzuar të dhënat e arkivit britanik për të krijuar tregimin të cilin e rrëfen me gojën e Mata Harit. Thënë ndryshe, shkrimtari këtu është vetë personazhi (Mata Hari).

Coelho vërtetë është i mahnitshëm. Janë të paktë shkrimtarët që kanë ndikuar në mënyrë pozitive të lexuesit në këtë botë sikur Coelho. Askush nuk e afron njerëzimin mes veti më shumë se ky shkrimtar. Te Coelho nuk ekziston dallimi në mes kombeve, ngjyrave dhe religjioneve të njeriut, rajoneve, kontinenteve… Ekziston vetëm e keqja dhe e mira apo abuzuesi dhe viktima.

Mata Hari, e cila është akuzuar si grua e pa moralshme me profesionin e saj të valltares dhe kurtizanës, akuzohet edhe për spiune. Në fakt, Mata Hari në këtë roman është viktimë e sistemit të vlerave të atëhershme – viktimë e mashkujve. Ajo dhunohet kur ishte vajzë e mitur nga drejtori i shkollës dhe kjo gjë, pasi që më nuk ishte e virgjër, e detytron të martohet me një oficer që ishte së paku një herë më i moshuar se ajo. Burri e keqtrajton vazhdimisht derisa ajo vendos të largohet nga ai dhe ta jetoj jetën e saj, duke i shfrytëzuar përparësitë e burrave, që i solli famë botërore.

Pastaj, u bë dashnore e një numri të madh të njerëzve të fuqishëm me pushtet dhe me para. Coelho na tregon se Mata Hari, duke u viktimizuar, ishte partizane e çlirimit të gruas që filloi me ardhjen e shek, XX. Por, burrat ishin ata që e akuzuan dhe e dënuan. Por, ajo qëndroi stoike edhe para vdekjes të cilën nuk e meritoi ashtu siç i ndodhi. Jeta dhe vdekja e Mata Harit në këtë roman është protestë e gruas kundër shoqërisë mujshare mashkullore.