huazuar nga Alsat
Burimi i ujit të fshatit Gari të Dibrës, deri para 7 vitesh përdorej nga banorët vetëm për pirje dhe larje, por nga 2016-ta kur u hap fabrika “MAYA”, dyshohet se aty u lanë edhe para nga shtete të huaja.
Një investim prej mbi 10 milion euro, nga një familje pastiçerish tetovar imigrantë në Kroaci, ngriti alarmin e Inteligjencës Financiare të MPB vetëm një muaj pas hapjes së fabrikës se ka transaksione të dyshimta për pastrim të parave nga persona të kompanisë “ML-Gari” themeluese e fabrikës “MAYA”, firmë simotër e “Mali Loshinj” në ishullit kroat, të investitorit Dashmir Abdija me origjinë nga Piroku, shkruan Alsat.
Në hapjen solemne atëherë morën pjesë e gjithë kryesia e BDI-së në krye me Ali Ahmetin, të cilët mburreshin për punësimin e ardhshëm të dibranëve.Por, nga 100 punësime të premtuara u realizuan vetëm 20 dhe uji asnjëherë nuk u distribuua në Lindjen e Mesme, Rusi e as Bjellorusi.
Policia Financiare, sipas hulumtimit të IRL-së në partneritet me televizionin Alsat pasi e mbajti në sirtarë disa vite, dosjen e dorëzoi dje në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila nisi procedurën para hetimore në 2016 lidhur me lëvizjen e parave dhe investimin në fabrikën për ambalazhimin e ujit “MAYA”. Prokuroria po heton për pastrimin e mundshëm të parave përmes kompanive off-shore të regjistruara në Qipro dhe Ishujt e Virgjër Britanikë.
E gjithë kjo skemë u legjitimua nga funksionarët e BDI-së. Në prill të 2012-ës, me vendim të Qeverisë së atëhershme, Abdija mori koncesionin për shfrytëzimin e ujit mineral për një periudhë 30 vjeçare të nënshkruar nga Ministri atëhershëm i Ekonomisë, Valon Saraçini nga BDI.
Në vitin 2018 në një seancë të Qeverisë miratohet edhe koncesioni i dytë për shfrytëzimin e burimeve minerale për lokalitetin Zviçnicë në fshatin Gari. Dhe kjo do të zgjasë 30 vjet, dhe ministri aktual i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi nga BDI.
Në “Dokumentet e Pandorës” është zbuluara edhe kompania ML-Gari nga Maqedonia, e cila ka futur në tregun bankar para përmes kompanive off-shore të personave që bashkëpunojnë ngushtë me zyrtarë të rangut të lartë nga Rusia, njëri prej tyre, Mihajlo Perençeviq, djali i Predrag Perençeviqit, i cili është në listën e zezë të SHBA-së dhe në listën e sanksioneve nga Britania e Madhe dhe Kanadaja për shkak të marrëdhënieve të tij biznesore me bashkëpunëtorët e ngushtë të Presidentit rus Vladimir Putinit.
“Më 6 dhjetor 2021 kompania off-shore ‘Zedaria Ventures’, i jep hua para ‘ML-Gari’ në Maqedoni. Në këtë kompani off-shore paratë erdhën nga ‘UK Promsvoise’, një kompani e menaxhimit të fondeve të investimeve në Rusi, e cila është në pronësi të një prej bankave më të mëdha në Rusi, ‘Promsvoise Bank’. Perençeviqët, mbanin poste ekzekutive në kompaninë ruse të ndërtimit ‘Velestroy’, e cila mori kontrata të vlefshme nga ‘Transneft’, kompania shtetërore ruse e transportit të naftës. Kjo kompani drejtohet nga Nikolai Tokarev, i cili dikur ishte pjesë e shërbimit sekret rus KGB, nga e cilit doli edhe ish-agjenti Putin”, thonë nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese “IRL” Maqedoni.
Pas ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë, BE, SHBA dhe Britania ngriu asetet e Tokarevit, i cili hyri në “listën e zezë” të Perëndimit së bashku me familjarët e tij. Mes tyre është edhe vajza e tij Maya Bolotova, e cila ndër të tjera ka qenë bashkëpunëtore e “Promsvoise Bank”-it nga shteti rus.
Emri i Maya-s, korrespondonte me brendin e ujit “MAYA” që ambalazhohet nga “ML-Gari” në Dibër. /Alsat.mk