Mazhoranca nuk do të presë “Venecian” për Kodin Zgjedhor, Rama: Procedura është e qartë

0

Mazhoranca do të miratojë sërish ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat janë kthyer nga Presidenti Meta.

Madje kreu i shtetit i është drejtuar edhe Komisionit të Venecias për të marrë opinion.

Por duket se socialistët nuk do të presin këtë opinion, teksa Kryeministri Rama ka thënë se procedura në raste të tilla është e qartë.

Në Tuiter Rama shkruan se kur Presidenti kthen një ligj, ai pranohet ose rrëzohet nga Parlamenti.

“Mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga Presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i Presidentit pranohet ose rrëzohet nga parlamenti! PARLAMENTI DO TË RISHPREHET PA HUMBUR ASNJË DITË”, shkruan Rama.

Nuk ngurron ta quajë Presidentin ekstremist kundër Qeverisë dhe Parlamentit.

“Ky President i angazhuar si një ekstremist kundër Parlamentit dhe Qeverisë Shqiptare, s’merr dot peng askënd dhe asgjë përveç institucionit që fatkeqësisht ka marrë peng! Opinioni i Venezias mirësetëvijë kur të vijë, por koha për këto zgjedhje s’pret asnjë ditë jashtë procedurave”, përfundon Rama. /k.k/noa.al/