Kylian Mbappe e shfaqi gëzimin dhe privilegjin e tij që u zgjodh lojtari më i mirë i muajit shtator tek Real Madridi.
Mirëpo, ylli francez po shikon përpara, pasi “Los Blancos” i presin tri ndeshje të vështira pas pauzës shkaku i angazhimeve të Kombëtareve.
Reali do të luajë me Celta Vigon të shtunën para përballjes me Borussia Dortmundin në mesjavën tjetër në Ligën e Kampionëve dhe më pas në fundjavën tjetër do ta presë “El Clasico”, më saktësisht përballja me rivalin e përhershëm, Barcelona.
“Tash ne i kemi tri ndeshje të rëndësishme që na presin dhe duam t’i fitojmë ato.
Ekipi dhe unë jemi të gatshëm dhe shpresoj që të bëjmë paraqitje të mira dhe të nxjerrim rezultate të mira për tifozët e Real Madridit”, deklaroi për faqen zyrtare të klubit, Kylian Mbappe, i cili së fundmi u rikthye nga lëndimi, i cili e la për pak kohë jashtë fushës së blertë.
Ish-futbollisti i Monacos dhe i Paris Saint-Germainit i shënoi gjashtë gola në pesë ndeshje në shtator, të cilat ia mundësuan ta fitojë këtë çmim prestigjioz që ndahet nga klubi, ndërsa ai shpreson që ta vazhdojë këtë formë solide.
“Jam mjaft i lumtur dhe mirënjohës ndaj tifozëve të Real Madridit.
Është nder të jem lojtari i muajit. Gjëja më e rëndësishme është t’i fitojmë ndeshjet gjatë këtij muaji dhe të jem në gjendje ta fitoj përsëri këtë çmim”, përfundoi Mbappe.