Mbi 2 mijë persona hoqën dorë nga shtetësia kosovare për 6 muaj

Mbi 2 mijë persona në 6 mujorin e parë kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare. Në të dhënat që portali rtv21.tv i ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) shihet se në total nga shtetësia e Kosovës janë liruar 2 mijë e 428 persona.

Arsyet pse kosovarët po heqin dorë nga shtetësia?

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme se arsyeja pse qytetarët heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës është se në shumë vende të Bashkimit Evropian, ku ata jetojnë, nuk i lejojnë që t’i kenë dy shtetësi

“Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikë së Kosovës, është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, duke pas parasysh që një numër i madhe i shtetasve tonë jetojnë tashmë me vite në këto shtete e një numër i madhe edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj kane fituar të drejtën e Fitimi të Shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi.Pra, arsyeja kryesore është ndalimi dy shtetësisë në shumë vende” ”, thuhet në pergjigjen e MPB-së.

Krahasur shifrën e atyre që hoqën dorë nga shtetësia kosovare, numri i atyre që u pajisën me shtetësinë kosovare është shumë i vogël.

Për portalin rtv21.tv Ministria e Punëve të Brendshme ka treguar se gjatë periudhës janar – korrik shtetësinë e Kosovës e kanë fituar vetëm 298 persona.

Shumica prej qytetarëve të cilët zgjodhën që të marrin shtetësinë kosovare sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë qenë me shtetësi Serbe, Maqedonase , Shqipëtare.

Kujtojmë se, në vitin 2021 ishin rreth 5 mijë e 31 persona që kërkuar të heqin dorë nga shtetësia kosovare./21Media