Mbi 250 rrugë në Kumanovë, vetëm një në gjuhën shqipe

Muhamer Pajaziti

Në vitin 2004 pata shkruar një shkrim për rrugët e Kumanovës në gazetën KOHA Ditore, edicioni Maqedoni.

Pas një hulumtimi hasa në të dhëna se nga 252 rrugë, vetëm një ishte një gjuhën shqipe, ishte fjala për rrugën “Bajram Shabani”.

Kanë kaluar 17 vite. Në qytet janë shtuar edhe rrugë të reja, kanë ardhur dhe kanë shkuar parti politike dhe ky realitet nuk ka ndryshuar fare.

Akoma asnjë emër i ndonjë personaliteti shqiptarë nuk shihet në këto rrugë, ndonëse shqiptarët kanë dhënë kontribut të madh për këtë qytet.

Të gjitha rrugët e lagjeve vazhdojnë të mbajnë emra sllav të kohës së komunizmit:“Proleterske Brigade”, “Tode Mendoll”, “Boris Kidriç”, “Vasa Pellagiq”, “Nikshiçka”, “JNA”, “Pitu Guli”…

Kur e pashë lajmin për 100 emrat e personaliteteve shqiptare në rrugët e Shkupit, mu ngjall një shpresë se ky realitet do ndryshoj edhe në Kumanovë.

Shqiptarët e Kumanovës kanë nevojë që mos ti shohin më këto gjurmë të një sistemi që i ka thyer në kurriz.

Rrugët me emra partizanësh që kanë gëzuar të gjitha benefitet dhe që sot i gëzojnë pasardhësit e tyre, shqiptarëve u kujtojnë skllavërinë.

Gjithashtu edhe ato banesat me ngjyrë hiri u kujtojnë komunizmin dhe shtypjen që u ka bërë ky sistem. (INA)