Mbi 290 persona të vdekur nga sulmet në Shri Lankë

0

Të paktën 290 persona kanë vdekur në Shri Lankë, si pasojë e disa shpërthimeve në kisha dhe hotele luksoze, që kanë ndodhur mëngjesin e së dielës, teksa besimtarët kanë qenë duke kryer shërbimet për festën e Pashkëve.

Policia ka thënë se 24 persona janë arrestuar, ndonëse nuk dihet se kush ka kryer sulmet.

Përveç të vdekurve, rreth 500 persona të tjerë janë plagosur dhe dhjetëra të huaj janë në mesin e viktimave.

Sulmet me bomba të ditës së diel, kanë shënuar incidentin më të përgjakshëm në Shri Lankë prej përfundimit të luftës civile më 2009.

Kryeministri i këtij shteti, Ranil Wickremesinghe ka thënë se shërbimet e sigurisë kanë qenë të paralajmëruara për ndonjë sulm të mundshëm, mirëpo informacioni ka ardhur më vonë sesa sulmi.

Ndërkohë në orët e vona të së shtunës, forcat ajrore kanë thënë se kanë gjetur një pajisje me eksploziv të improvizuar afër aeroportit kryesor në kryqytetin e këtij shteti, Kolombo.

Në Shri Lankë vetëm shtatë për qind e popullsisë i takon besim të krishterë. Shumica e tyre janë budistë.