Mbretërit e Administratave

0

Nga Dr.Arben TARAVARIT

Para se të filloj të paraqes shqetësimin tim dua për prolog të theksoj që unë jam i nderuar dhe i lumtur që njoh kolegë apo miq të cilët janë profesionistë të vërtetë, të cilët ushtrojnë me mjeshtëri aftësitë e tyre duke i dhënë të mira shoqërisë nëpërmjet profileve të tyre profesionale. E keqja e dhimbshme është se këta profesionistë janë tmerrësisht shumë pak krahasuar me numrin e atyre që kanë lënë Maqedoninë për të punuar në shtete të tjera, dhe një e keqe edhe më e madhe është se pjesa dërrmuese e zyrave apo sektorëve të administratës shtetërore, institucioneve edukative apo çdo institucioni që paguhet nga shteti (dmth nga taksat tona), është e mbushur me “Shefa të Përjetshëm” apo “Mbretër Partiakë”.

Nuk e di a është parë apo dëgjuar që një zyrë apo sektor të ketë 10 vjet, 15 vjet, 18 vjet të njëjtin Shef ndërkohë që rezultati i punës së asaj zyre apo sektori është gjithnjë e më i ulët ose vend numëro! Do të sjellë një gojëdhënë të cilës i kam ndryshuar rrethanat për shkak të ndjeshmërisë së lexuesit, por besoj se përshtatet shumë me situatën tonë:

Një burrë i qahej shokut të vet se nuk po i ecte fare biznesi i restorantit… i tregoi se kishte provuar gjithçka, kishte ndërruar tavolinat, kishte ndërruar karriget, pjatat e filxhanët, por prapë nuk kishte ndryshim. Atëherë shoku i tij ju përgjigj me një pyetje: po kamarierët a i ke ndërruar… Dukej se pikërisht ato që zhysnin biznesin në humbje ishin pikërisht njerëzit e caktuar për të punuar në restorant! Kështu edhe në vendin tonë me këta zyrtarë të cilët janë futur të rinj dhe po pleqërojnë ende në postet e tyre, duke mos bërë asnjë progres por vetëm regres, po na marrin shtetin në qafë! Kur them shtetin nënkuptoj familjet tona, fëmijët tanë, të rinjtë tanë që janë shpresëhumbur dhe kanë vetëm një ëndërr: Të ikin!

E si mos ikin?! Shteti është i mbërthyer nga ethet e korrupsionit, që duket se në fakt është kolerë që po na shfaros të gjithëve këtu! Edhe sikur të kesh studiuar shumë e të kesh diplomë me hak, nuk kalon për punësim! Sepse vendet e punës janë TË ZËNA nga njerëz që kanë dhjetëra vite që marrin pagë pa e ditur vendin e punës, ose nga “Mbretër” që i ka kurorëzuar “Lartmadhëria e saj” BDI-ja! Tani edhe kemi filluar të luajmë politikën “evropiane”, e si do shkojmë në Evropë me këtë gjendje që jemi?!

Në jemi mbushur plot me zyrtarë që as nuk e dinë se për çfarë paguhen, që nuk shkojnë me vite në punë, ose në rastin më të mirë, shkojnë, ama rrinë kot…nëse do të bëhej një sondazh në zyrat shtetërore do të shihet qartë se koha më e madhe që kalohet në FB, Instagram apo në rrjetet e tjera sociale është pikërisht gjatë orarit të punës. Kjo kuptohet që nga foshnjoret, edukatoret e të cilave kanë hapur grupe viber-i dhe dërgojnë foto përditë, nga 10 deri në 100 foto, dmth që fëmijët një pjesë të përditshme të edukimit të tyre kanë fotografimin, mbërthimin e emocionit në celular, duke mos u dedikuar tërësisht lojërave dhe mësimit! Po kështu do trokasim në derë të Evropës ne?!

Me profesionistë që nuk i pranojnë në punë dhe detyrohen të ikin me rastin e parë, dhe me amatorë që kanë shkëlqyer në mbledhje votash e tash kanë siguruar statusin e mbretit nga partia! BDI-ja de facto është monarkia e zyrtarizuar e këtij vendi, duket se në Qeveri janë gdhendur emrat e tyre njësoj si monarkët e mëdhenj në periudhën Mesjetare. Vetëm se këta “mbretërit” tanë nuk i presin kokat me shpata, por i dëbojnë me farë e me fis ose i vdesin për bukë e i marrin çdo pikë nderi e dinjiteti. Njerëzit e aftë po i përzënë përditë “monarkia bdiste”! E vetmja mënyrë për t’i kthyer është të zëvendësojmë monarkinë!(koha.mk)